Gratë (pa kufi moshe) mund të kryejnë haxhin dhe umren pa Mahram-shoqërues

Lajm i mirë vjen për gratë muslimane që dëshirojnë të kryejnë haxhin dhe umren pa një kujdestar ose Mahram mashkull.

Qeveria e Arabisë Saudite tani i lejon gratë muslimane të të gjitha moshave të vijnë në Arabinë Saudite për të kryer Haxhin dhe Umren pa qenë të shoqëruara nga një Mahram ose kujdestar mashkull.

Këtë njoftim e ka bërë ministri saudit i Haxhit dhe Umres, Tawfiq bin Fawzan Al Rabiah, përmes një konference për shtyp në Ambasadën Saudite në Kajro, Egjipt, të martën me orën lokale.
Për më tepër, Këshilltari për Shërbimet e Haxhit dhe Umres, Ahmed Saleh Halabi, shpjegoi se gratë tani mund të kryejnë haxhin dhe umren pa Mahram, por ende duhet të shoqërohen nga gra të besueshme ose kompani sigurie.

Halabi shtoi se vendimi i ri ishte në përputhje me deklaratën e bërë nga mbikëqyrësi i fetvasë në Al Azhar Al Sharif në Egjipt, Abbas Shoman, marsin e kaluar.

Sipas rregullave të mëparshme, gratë nën 45 vjeç duhej të shoqëroheshin nga një Mahram ose kujdestar mashkull kur udhëtonin për haxh ose umre. Qeveria saudite vendosi një gjobë prej 50,000 SR për çdo pelegrin femër të kapur pa shoqëruar nga një Mahram./B.Islame/