Myftiu Saqipi: Shkuarja në Haxh, do të bëhet në vitin e ardhshëm, në kushte më të mira

Meshihati i Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe kryetari i saj Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, z/kryetar i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, konfirmon lajmin nga Arabia Saudite se për shkak të pandemisë së koronavirusit (COVID-19), vetëm 60 mijë njerëz nga brenda vendit do të pranohen për Haxh këtë vit dhe asnjë nga jashtë.

Meshihati i BIPBM, bën të ditur se Ministria e Haxhit dhe Umres e Arabisë Saudite lëshoi një deklaratë me shkrim mbi masat që do të merren për shkak të pandemisë dhe mbi atë se kush do të pranohet gjatë Haxhit. Në deklaratë, gjithashtu,  thuhet se 60 mijë vetë që do të pranohen për Haxh nga vendi duhet të jenë persona pa sëmundje kronike, të moshës midis 18 dhe 65 vjeç dhe të vaksinuar kundër virusit.

Lidhur me këtë Myftiu Saqipi, i drejtohet gjithë atyre që e kanë bërë nijet shkuarjen në Haxh, vitin e ardhshëm do t’u realizohet dëshira, kuptohet në kushte edhe rrethana më të mira. Kuptohet kryerja e Haxhit është një mision i shenjtë e jo si pushimet verore, apo gazmendet e dasmat familjare, sepse ne atë mision kryhet obligimi i Haxhit, duke i respektuar masat anti Covid, u shpreh Myftiu Saqipi, për Jetapress.

Vlen të ceket se më 9 maj, Ministria e Haxhit dhe Umres kishte njoftuar se Haxhi i këtij viti do të mbahet nën kushte të sigurisë për shkak të pandemisë. Vitin e kaluar, Arabia Saudite kishte pranuar po ashtu numër të kufizuar të haxhilerëve vetëm nga vendi, raporton Jetapress.