Nëna, mëshira në duart e saj, parajsa nën këmbët e saj

Në kuadër të 8-Marsit, Zyra e Gruas pranë Komuniteti Mysliman të Shqipërisë zhvilloi gjatë javës së shkuar panairin e bamirësisë, “Nëna, mëshira në duart e saj, parajsa nën këmbët e saj”, panair i konceptuar në formën e një programi artistik dhe konkursi me gatimin më të mirë.

Aktiviteti u hap me fjalën përshëndetëse të Pergjegjëses së Zyrës së Gruas, njëherazi edhe organizatorja e këtij panairi, znj. Fatma Karaj, e cila falënderoi të pranishmit dhe bashkëpunëtorët që bënë të mundur zhvillimin e këtij aktiviteti bamirësie.

I pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili në fjalën e tij vuri theksin te rëndësia që i jep feja islame nënës dhe gruas.

“Ne mund të shprehim me plot gojën se mësimet e Islamit për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe porositë e Profetit Muhamed (a.s.) për mirësjellje ndaj tyre, janë një dëshmi e qartë për konceptin islam sa i përket të drejtës së gruas. Mësimi që solli i Dërguari i Zotit e konsideron mashkullin e femrën të njëjtë dhe nuk bën asnjë dallim midis tyre për sa i përket qenies së tyre njerëzore. Më i miri ndër njerëzit është më i devotshmi ndaj fesë, qoftë burrë apo grua, kështu na mëson feja jonë. Profeti ynë i dashur (a.s.) ka dhënë mësime të pashembullta për gruan në tri pozitat e saj, si nënë, si vajzë dhe si bashkëshorte. Thënia e tij (a.s.): “Xheneti është poshtë këmbëve të nënave.” është piedestali më i lartë ku është ngritur pozita e gruas në ndonjë kulturë njerëzore.”

Kryetari Spahiu u shoqërua nga Kancelari i Komunieti Mysliman të Shqipërisë, z. Ylli Cikalleshi.

Si bashkë organizatore në aktivitet morën pjesë edhe Nënkryetarja e Bashkisë Tiranë, znj. Anisa Ruseti dhe Drejtoresha e Çështjeve Sociale, znj. Anisa Subashi.

Aktiviteti vazhdoi më tej me vlerësimin e gatimeve më të mira të sjella në panair, të ardhurat e të cilit do të shkojnë për shtresat në nevojë.

Çmimi i parë: Delimano Multicooker shkoi për znj. Erjola Kopani
Çmimi i dytë: Makineri buke Delimano shkoi për znj. Shykran Turan
Çmimi i tretë: Set tiganësh Delimano shkoi për znj. Farie Imeri