REISUL ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAI PRITET NGA KRYETARI I DIJANETIT TË TURQISË, D-R. ALI ERBASH

Kryetari i BFI të RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, u prit sot, më 23 shkurt 2021, në vizitë zyrtare nga Kryetari i Drejtorisë për Çështje Fetare të Republikës së Turqisë, D-r. Ali ef. Erbash, në selinë e të njëjtës, në kryeqytetin turk Ankara.

Në takim, Reis Ulemaja fillimisht falënderoi Kryetarin Erbash për ftesën dhe pritjen e nivelit të lartë. Nga ana tjetër, Kryetari D-r. Ali Erbash falënderoi Reis Ulemanë për vizitën dhe i uroi zgjedhjen në krye të Bashkësisë Fetare Islame të RMV dhe i uroi suksese në detyrë. “Lutem që kjo detyrë e re do sjell mbarësi për muslimanët e Maqedonisë së Veriut dhe për të gjithë ne” – tha ndër të tjera D-r Erbash.

Në vazhdim u bisedua për çështje të ndryshme të përbashkëta dhe projektet e shumta që Dijaneti i kryen në Maqedoninë e Veriut në bashkëpunim me Bashkësinë Fetare Islame, projekte këto që vijnë si rezultat i bashkëpunimit vëllazëror mes dy popujve dhe mes dy institucioneve në veçanti.

Kryetari i BFI të RMV, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, shprehu mirënjohjen e tij për projektet e realizuara deri tani në Maqedoninë e Veriut dhe theksoi se, në frymën e miqësisë dhe unitetit mes dy institucioneve bashkëpunimi duhet të vazhdojë në të mirë të muslimanëve dhe shoqërive të dy vendeve.

Në takim, Reis Ulemaja u shoqërua nga Sekretari Gjeneral i BFI të RMV, H. Irsal ef. Jakupi dhe Muftiu i Muftinisë së BFI – Shkup, Dr. Qenan ef. Ismaili. D-r. Ali ef. Erbash-in e shoqëruan dy nënkryetarët e Dijanetit Erdal Atalay dhe Selim Argun.

Në shenjë respekti, Kryetarit Erbash iu dhurua një mirënjohje nga Bashkësia Fetare Islame.

Pas këtij takimi, Reis Ulemaja me shoqëruesit vizituan edhe hapësirat e Dijanetit dhe zyrtarët e lartë, të gjithë drejtorët e përgjithshëm të Drejtorive të Dijanetit si dhe TV Diyanet-in për të cilin Reisi dha një intervistë speciale.

64 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.