BASHKËSIA FETARE ISLAME NË RMV ZGJODHI REISU’L ULEMA H. HFZ. SHAQIR EF. FETAHUN

Sot, më datë 18 nëntor 2020 në selinë e BFI në Shkup, një ditë pas përfundimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave për Reisu’l Ulema të BFI në RMV, nën mbikëqyrjen dhe organizimin e Komisinit Zgjedhor për zgjedhjen e Reisu’l Ulemasë, u zhvilluan zgjedhjet për këtë post udhëheqës.
Kryetari i Komisionit zgjedhor Muamer ef. Veseli, pas përfundimit të procesit doli para mediumeve prezente dhe deklaroi se sot “në bazë të procesit zgjedhor të mbajtur në Bashkësinë Fetare Islame për zgjedhjen e Reisu’l Ulemasë, Kryetarit të BFI-së, i cili në periudhën e ardhshme do të organizojë, udhëheqë dhe përfaqësojë BFI-në dhe muslimanët e vendit, në një atmosferë të qetë dhe në mënyrë të hapur e të lirë, të drejtë, islame dhe demokratike, trupi zgjedhor për zgjedhjen e Reisu’l Ulemasë ka përzgjedhur mes dy kandidatëve të mundshëm, Muftiut të Gostivarit, Prof. Hfz. Shaqir ef. Fetahut dhe Muftiut të Tetovës, Prof. Dr. Qani ef. Nesimit.”
Pas numërimit të votave të trupit votues që me vullnetin e tij përzgjodhi për njërin nga dy kandidatët, rezultati i arritur shënonte 18 vota për Muftiun e Gostivarit, Prof. Shaqir ef. Fetahun dhe 3 vota për Muftiun e Tetovës, Dr. Qani ef. Nesimin.
Me këtë rast, Komisioni Zgjedhor për zgjedhjen e Reisu’l Ulemasë të BFI në RMV, Reisu’l Ulema të ardhshëm të BFI shpalli Muftiun e deritashëm të Gostivarit, Haxhi Hafiz Shaqir ef. Fetain.
Prezenca dhe sjellja e kandidatit të dytë për Reisu’l Ulema, Prof. Dr. Qani ef. Nesimit, tregoi se Bashkësia Islame është një trup i vetëm. Reisu’l Ulema, Shaqir ef. Fetahu ndër të tjera, për bashkëkandidatin e tij, siç e cilësoi ai, shprehu fjalë miradije dhe e falënderoi për kontributin e tij të vazhdueshëm që e jep qe 6 vjet për të krijuar kështu një Bashkësi Fetare edhe më të fuqishme, më transparente, më bashkëkohore në shërbim të të gjithëve. “Prof. Dr. Qani ef. Nesimi me vetëdijen më të lartë dha kontributin e tij që ne sot të jemi këtu për ta ecur përpara BFI-në, një organizatë shumë e rëndësishme, shumë e madhe dhe shumë me ndikim në shoqërinë tonë.” – u shpreh Reis Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu.
Në fjalimin e tij para mediumeve prezente Reisul Ulemaja theksoi se sot është një ditë e madhe për të gjithë muslimanët e vendit. Sot, tha ai, fitoi Bashkësia Fetare Islame e RMV. “Sot, fituam të gjithë. Fitoi shpirtërorja, moralja, njerëzorja dhe konstruktivja. Por, prej sot kemi amanet me një përgjegjësi të madhe, të prezantojmë Islamin dhe vlerat e tij në frymën burimore dhe tradicionale me qëllim që ky opsion të prezantojë frymën e fjalës së Zotit, paqes, tolerancës dhe bashkëpunimit me të gjithë, për të qenë subjekt kreativ dhe konstruktiv në shoqërinë tonë dhe më gjerë.”
Shtylla të veprimtarisë së Reisit të ri do të jenë dija, konsultimi, toleranca, transparenca dhe puna e palodhshme në shërbim të çdo besimtari e qytetari. Ai po ashtu premtoi se do të ndërtojë bashkësi serioze me të gjitha elementet që i kërkon koha në të cilën ne jetojmë. Bashkësia Fetare Islame, tha Kryetari i ri i BFI-së, do të jetë një institucion i cili me mençuri dhe maturi do t’u përgjigjet të gjitha sfidave që i sjell koha dhe vendi.
Në fund të fjalës së tij, Kreu i BFI-së falënderoi të gjithë imamët për maturinë e treguar gjatë fazës paraprirëse të zgjedhjeve, falënderoi Komisionin Zgjedhor të përbërë nga Muamer ef. Veseli – Kryetar, Dr. Selver ef. Xhemaili – anëtar, dhe Irsal ef. Jakupi – anëtar, falënderoi Rijasetin që me vetëdijen e lartë arsyetuan përfaqësimin e të gjithë muslimanëve nga territori i BFI-së në gjithë shtetin, si dhe shprehi mirënjohje dhe respekt të veçantë për përfaqësuesit e mediave dhe portaleve të ndryshme, që i dhanë një frymë demokratike këtij procesi dhe formuan një ambient jashtëzakonisht të gjallë. Për herë të parë, tha Reis Ulemaja, BFI-ja u prezantua ashtu siç duhet duke hapur mendime të ndryshme, koncepte dhe në këtë mënyrë gjithë opinioni i RMV në përpikshmëri u njoftua me proceset e zgjedhjeve në BFI.
H. Hfz. Shaqir ef. Fetahu, u zgjodh sot Reis Ulema pas ushtrimit të detyrës së të njëjtit funksion për rreth gjashtë muaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *