Ofendim me karikaturë, pse?

Shkruan: Metin Izeti

Vlerat që kanë karakterin e së shenjtës, domethënë konsiderohen të shenjta, sigurisht që janë faktorët më me ndikim të çdo kulture dhe bashkësie në mjedisin kulturor ku jetojnë. Ne gjejmë konfirmim për këtë pretendim në efektet e arritura nga agresioni kulturor dhe kulturocidi ndaj të cilave janë të ekspozuara shumë kultura në botën moderne. Sulmet shkatërruese ndaj kulturës së një komuniteti janë po aq efektive sa drejtohen pikërisht në vendet e shenjta si shtyllat më të forta të çdo kulture. Shembja, dobësimi ose thjesht degjenerimi i tyre rrezikon mbijetesën e kulturës dhe të komunitetit në tërësi.

Koncepti eurocentrist I promovuar me revolucionin francez, I cili shumë më tepër se revolucion shoqëror ishte revolucion I ndryshimit të mendjes dhe ndjenjave në Europë dhe më pas në botë, morri në shënjestër të gjitha kulturat e mëparshme dhe u përpoq që ata t’I nënçmojë dhe t’I tregojë si jo të denja për njeriun e kohës së re. Këtë e bëri në fillim me vlerat thelbësore të krishterimit edhe atë pikërisht duke e (keq)përdorur artin. Të gjithë ne I dimë filmat ku është degjeneruar personaliteti I Jezu Krishtit, Shën Mërisë dhe të tjerëve. Qëllimi ishte që nëpërmjet të një fenomeni të shpirtit siç thotë Hegeli, pra me artin, të sulmojë një fenomen tjetër fenë. Arti, që në të gjitha periudhat e mëparshme ka qenë bartëse kryesore e koncepteve metafizike dhe të përshpirshtmes, tash më është kahëzuar të rrënojë shenjtërinë e temës dhe sfondit të vet. Me fjalë të tjera koncepti arrogant eurocentrik, që çdo kënd jashtë kufive të vet e konsideronte si “barbar” , dëshironte që të relativizojë ndjenjat shpirtërore të njerëzve duke u tallur dhe fyer vlerat e shenjta të njerëzve. Ky koncept arriti të shkatërrojë gjenin artistik I cili ishte I përqendruar përreth faltores dhe atë e barti në hapësirën e shthurur të sheshit liberal edhe atë në emër të lirisë së shprehjes dhe lirisë artistike. “Liria e shprehjes” vetëm për ta shkatërruar të shenjtën e skllavëroi imagjinatën e artistit dhe e ngulfati atë në përmasën lëndore. Me fjalë të tjera e mbyti artistin dhe artin me gotën e ujit që pinte.

Çdo vlerë e shenjtë e krishterimit, hebraizmit, kulturave të lindjes së largët u tallën dhe u nënçmuan në forma të ndryshme. E vetmja kulturë e cila arriti ta mbijetoi dhe ta mbrojë shenjtërinë e vlerave të veta dhe mos të inkuadrohet në talljen “artistike” të vlerave esenciale fetare është kultura islame. Ta them më troç, vetëm myslimanët nuk arritën t’i mësojnë të pajtohen me talljen e personaliteteve dhe koncepteve të fesë së tyre. Dhe pikërisht kjo I bën nervoz profetët e eurocentrizmit dhe me të gjitha mjetet përpiqen që të ngacmojnë ndjenjat fetare të myslimanëve me qëllim që ata t’I tregojnë se nuk kanë mirëkuptim për lirinë e shprehjes.

Por çështja nuk është aty dhe as që më bën shumë përshtypje dhe më brengos publikimi I karikaturave të Pejgamberit a.s. nga një i gjorë që ka fluturuar nga Kosova dhe është humbur në Paris. Unë dua ta theksoj çështjen  se nuk guxojmë të pajtohemi me degjenerimin dhe shembjen e vlerave të Islamit dhe shkrirjen e të shenjtës në gotën e trurit të sëmurë me shthurje dhe “liri të shprehjes”. Veçanërisht jo nëpërmjet të artit të cilin nuk e nxë truri dhe gjykimi. Arti është mbi to dhe I drejtohet një hapësire shumë më të gjerë se gjykimi mendor dhe logjika instrumentale. Arti dhe feja janë dy motra tradicionale dhe njeriu bashkëkohor duhet ta ketë vërejtur kolapsin që u ka ndodhur të dyjave në zgjatjen shoqërore pasi që janë hidhëruar me njëra tjetrën.

Arritjet më të fundit të kinematografisë në fushën e filmit historik dhe fetar, por edhe në disa zhanre të tjera, dhe në letërsinë artistike por edhe në art në përgjithësi bazuar në filozofinë materialiste dhe vizionin e botës dhe njeriut liberal, na bëjnë të mendojmë se ka disa plane dhe parashikime afatgjate që e kanë në shënjestër jo vetëm Islamin por fenë në përgjithësi. Mund të jetë, pra, që ne  ballafaqohemi jo vetëm me anti-islamizëm, por edhe me anti-fetarizëm.

Sigurisht, Islami është më i ekspozuar ndaj falsifikimeve dhe fyerjeve sesa feve të tjera. E gjithë kjo po ndodh nën një pretekst themelor të quajtur liri e shprehjse!

Ky anti-fetarizëm bazohet në dy përpjekje themelore:

Riinterpretimi dhe rishikimi i historisë së feve dhe paraqitja e një imazhi të falsifikuar, të shtrembëruar të të dërguarve të Zotit;

Portretizimi i personazheve të profetëve, njerëzve të dashur të Perëndinë dhe besimtarëve të shquar në rrëfime të trilluara, gjoja të rëndësishme historikisht. Ata portretizohen si persona të dobët, jo të besueshëm, të sëmurë dhe të pabalancuar mendërisht, dhe nga ana tjetër personazhet jofetarë portretizohen si personalitete të forta, të guximshme dhe me motive humaniste.

Humanizmi i ngurtë, i mishëruar në rendin socio-politik liberal-demokratik duke mohuar tjetrin dhe të ndryshmen nga vetja, duke e sulmuar fenë dhe universin e shpalljes së Zotit, bën një fushatë gjithëpërfshirëse kundër Islamit si feja e fundit qiellore, e zbritur nga Zoti.

Pse gjuha e artit dhe satirës!?

Çdo ide e përkthyer në një vepër arti ka një shans të zgjasë më gjatë, dhe kjo kohëzgjatje në subkoshiencën e konsumatorëve është gjithnjë më e gjatë nëse është çështje e artit pamor. Shprehja artistike e bën mesazhin që mbart më efektiv dhe më efikas. Nga ana tjetër, në një atmosferë të sunduar nga arsyeja dhe logjika, e vërteta dhe vërtetësia me siguri do të ishin zbuluar dhe analizuar më shpejtë. Prandaj, ithtarët e një ideologjie që e gjen veten të pafuqishëm përpara një ideje më bindëse dhe intelektuale më superiore, përpiqen të zhvendosin konkurrencën e tyre ideologjike në një hapësirë ​​mbi logjike dhe mbi racionale, ose të ndryshojnë rregullat e lojës për të shmangur humbjen dhe dështimin, me fjalë të tjera për të shmangur zbulimin e së vërtetës. Kështu sillen mjeshtrit e ideologjisë liberale sot në relacion me Islamin.

Neglizhimi i nevojës për humor dhe satirë të shëndetshme, në frymën e parimeve etike, hap hapësirë ​​për përhapjen e përmbajtjes amorale satirike dhe humoristike. Kur flasim për humor të shëndetshëm dhe satirë etike, nënkuptojmë që një përmbajtje e tillë duhet të lokalizojë dhe zbulojë fenomenet negative në shoqëri, t’i kritikojë ato dhe të informojë qytetarët për to pa kaluar përtej standardit moral dhe profesional. Shoqëria në përgjithësi dhe bashkësitë e besimtarëve sot përballen me armiq të cilët përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të dëmtuar fenë si të tillë, veçanërisht Islamin.

Nga ana tjetër, respekti për shenjtorët është një parim i përbashkët për të gjitha fetë. Nëse anëtarët e një feje nuk i respektojnë shenjtorët e një feje tjetër, ata mund të presin që shenjtorët e tyre të ekspozohen ndaj poshtërimit dhe sakrilegjës. Prandaj, solidariteti dhe bashkëpunimi ndërfetar, kundërshtimi i përbashkët ndaj akteve të blasfemisë dhe fyerjeve mbi baza fetare mund të nënkuptojë bllokimin e rrugës së ekstremistëve radikalë në të gjitha fetë, të cilët fatkeqësisht e shohin përdhosjen e faltoreve të njerëzve të tjerë si detyrën dhe detyrimin e tyre fetar dhe që kanë filluar historikisht konfliktet dhe luftërat. As Tarry Jons nuk është përfaqësues i krishterimit, as al-Kaeda, Talibanët zëdhënës të Islamit. Sigurisht, as klientët dhe as financuesit e filmave dhe projekteve të tjera të drejtuara kundër Islamit nuk janë përfaqësues zyrtarë të të krishterëve ose hebrenjve. Pas të gjitha rasteve dhe manifestimeve të tilla fshihen kryesisht qëllime të një natyre politike dhe së fundmi, ekziston një anti-fetarizëm. U takon të gjithë njerëzve fetarë, moralë dhe të arsyeshëm në botë të punojnë për të përhapur dhe forcuar respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë.

Ne të gjithë jemi përgjegjës. Mirëpo  a mundohemi aq  sa është përgjegjësia jonë?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *