Zhvillohet konferenca ndërkombëtare me temë: “Objektivat e larta të paqes në Islam”

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare me temë: “Objektivat e larta të paqes në Islam”, e organizuar online nga Këshilli Botëror i Komuniteteve Myslimane në Abu Dabi.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin Dr. Ali Rashid al-Nuajmi, Kryetari i (KBKM), Dr. Muhamed Muhtar Xhuma, Ministri Egjiptian i Vakfeve, Dr. Muhamed Matar al-Kaabi, Ministër i Çështjeve Islame dhe Vakfeve në Emiratet e Bashkuara Arabe, personalitete dhe drejtues fetarë nga vende të ndryshme të botës.

Në fjalën e tij hapëse kryetari i konferencës, Dr. al-Nuajmi, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, u ndal në rëndësinë e trajtimit të tematikave të tilla me drejtuesit fetarë.

“Tema e paqes është një temë mjaft e rëndësishme ashtu siç është edhe ndërgjegjësimi për ta kuptuar drejt këtë koncept”.

Pas fjalëve përshëndetëse, konferenca vijoi më tej me panelin e parë të referuesve, ku kryetari i KMSH-së, z. Spahiu, u përqendrua në faktorët ndikues të Islamit në paqen globale si dhe dobitë e saj në jetën e njeriut.

“Ndikimi i Islamit në paqen globale shfaqet me anë të promovimit të bashkëjetesës paqësore dhe të harmonisë me njëri-tjetrin. Ndër dobitë e paqes mund të veçojmë stabilizimin e jetës njerëzore, arritjen e sigurisë së përbashkët dhe lartësimin e njeriut si krijesa më e nderuar e Zotit të lartësuar mbi sipërfaqen e tokës” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Më tej kryetari Spahiu u shpreh se ka ardhur koha që të qendrojmë përkrah njerëzve dhe ti orientojmë brezat e rinj drejt gjuhës së dialogut, mirëkuptimit dhe pranimit të njëri-tjetrit.

Konferenca vazhdoi më tej me panelet e tjera të referuesve të cilët ndanë aspekte të ndryshme të temës me të pranishmit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *