Roli i Tolerancës Fetare në parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm

Komiteti Shqiptar i Helsinkit zhvilloi ditën e sotme në ambientet e “Hotel Rogner” workshipin me temë: “Roli i Tolerancës Fetare në parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm”.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësuesit e komuniteteve fetare të vendit, ndër ta edhe Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, z. Taulant Bica, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, z. Genti Kruja, Përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit njëkohësisht edhe moderatorja e këtij workshopi, znj. Miriam Neziri Angoni, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, etj.

Në fjalën e saj hapëse, znj. Angoni, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen shtroi rëndësinë e organizimit të platformave të tilla në përpjekjen e vazhdueshme për të kultivuar më tej mirëkuptimin dhe dialogun e ndërsjelltë ndërmjet komuniteteve fetare.

Ndërsa Nënkryetari i KMSH-së, z. Bica, në fjalën e tij përshëndetëse ndau me të pranishmit rëndësinë e bashkëpunimit në çrrënjosjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nga çdo sferë e shoqërisë, duke i konsideruar këto fenomene si kërcënim për vlerat e larta morale e njerëzore.

“Fryma e besimit i mëson njeriut të jetë respektues me të tjerët, pranues i të ndryshmes dhe diversitetit, bashkëpunues me qëllimin e përbashkët zhvillimin e vendit dhe shoqërisë. Besimet e ndryshme fetare  kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë akoma një element bashkues dhe jo ndarës ndërmjet shqiptarëve.” – theksoi ai gjatë fjalës së tij.

Workshipi vijoi më tej me fjalën e të pranishmëve, të cilët prekën aspekte të ndryshme të temës në fjalë, duke nxjerrë kështu përfundime të vlefshme në ruajtjen dhe dërgimin më tej të misionit të përbashkët të harmonisë ndërfetare të vendit tonë.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *