Kontestimi politik i vendeve të shenjta

Nga Nexhmedin Saqipi

Nënshkrimi i marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve ekonomike midis Prishtinës dhe Beogradit në Washington, nxiti debate edhe rreth pikës në të cilën parashihej hapja e ambasadës kosovare në Jerusalem, pas njohjes nga shteti izraelit.

Ndër të parat që ngritën zërin e zemërimit rreth hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Liga arabe dhe Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë dhe reagime të tjera të kësaj natyre, të cilat nuk kaluan edhe pa tone të ashpra kritike.

Të jemi të sinqertë, kudo që përzihet politika, nuk shkojnë punët në terezi. Nuk thuhet kot se politike dhe feja janë si dy skajet e litarit. Aty kur i fut hundët politika në fe, gjërat marrin drejtimin jo të duhur.

Politika

Pse të mos thuhet e vërteta sado që është e dhembshme. Palestina nëse është vend i shenjtë vetëm për  popullin palestinez, pse atëherë kërkon ndihmë nga besimtarët myslimanë  në emër të fesë? Pse atëherë Unioni Botëror i Dijetarëve Myslimanë ka heshtur dhe nuk ka kërkuar që përfaqësuesit e shtetit Palestinez të jenë të vëmendshëm ndaj shtetit te Kosovës? Çfarë  deri më tani ka bërë Liga  Arabe për ta  përkrahur njohjen e Kosovës, fundi-fundit, Palestina  nuk ka të drejtë morale të flas kundër Kosovës dhe se ajo nuk e ka pranuar e bile i ka nënçmuar myslimanët shqiptarë me deklaratat kundër shtetit  më të  ri në Ballkan, etj.

Një duhet ta kemi të qartë se vendet e shenjta të besimtarëve janë të të gjithë besimtarëve, kudo qofshin ata. Shembull kemi Qaben, ajo është e shenjtë për të gjithë besimtarët e botës, ndërsa nuk është vetëm i shtetit saudit, ajo e ka mbikëqyrjen dhe kjo konsiderohet privilegj nga Zoti  për ta. Madje Jerusalemi dhe Mesxhidi Aksa është i shenjet për besimtarët monoteist, që pranohen nga Abrahimi deri te Isus, të cilat nuk janë vetëm te  shtetit Palestino- Izraelit, po kështu edhe Vatikani është i besimtarëve katolikë e jo vetëm i Italisë, si dhe Muri i Vajit nuk është vetëm i popullit izraelit, por i të gjithë besimtarëve jevrej e kështu me radhë.

Çdo vend të shenjtë, nuk ka të drejtë askush ta uzurpoj dhe ta përvetësoj për qëllime të caktuara. Nëse një vend është i shenjtë në emër të fesë, ai mbetet i shenjtë për të gjithë besimtarët pa dallime përkatësie kombëtare, shtetërore e racore, pavarësisht se ku gjenden dhe nga kush mbikëqyren.

Shenjtëria

Po e zëmë si Qabja, Jerusalemi e Vatikani edhe kishat, xhamitë e sinagogat, janë të shenjta dhe nuk i përkasin vetëm një shteti, por janë të besimtarëve dhe askush nuk ka të drejtë në emër të tyre  t’i uzurpoj, t’i përvetësoj, ose të bëjë politikë me to. Të gjitha vlerat e shenjta e kanë  statusin e shenjtë, ngase kanë të bëjnë me kulturën shpirtërore dhe se shpirti nuk ka vend, tokë  dhe pozitë dhe është më i madhe dhe më i gjerë.

Prandaj, ne dot duhet t’i kuptojmë mirë këto vlera të shenjta në mënyrë profesionale pa ngjyrime politike. Në këtë drejtim feja, drejtësia, profesionalizmi, vlerat, integrimet, paqja, dija dhe shkenca, janë të shenjta dhe janë të të gjithëve, për mbarë njerëzimin pa dallim race, nacionaliteti, shteti, pozite dhe vendi.

Nuk guxon askush në emër të fesë, apo politikës t’i përvetësojë vlerat e shenjta, sepse, thjesht, ato nuk janë vetëm të tyre. Duhet të ndahen politikat shtetërore nga ato fetare. As Serbia  nuk e ka tradhtuar Kinën e as Rusinë e as Kosova nuk e ka tradhtuar  botën arabe me Izraelin lidhur me firmosjen e marrëveshjes për hapjen e ambasadës kosovare në Jerusalem. Shqiptarëve  dhe serbëve u duhet paqja dhe jetesa në fqinjësi të mirë, si dy shtete të pavarura pranë njëra tjetrës, ngase ato me qindra vjet kanë kaluar në armiqësi dhe gjakderdhje.

Paqja

Marrëveshjes së normalizimit të raporteve ekonomike në mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet çdo njeri t’i gëzohet. Shqiptarët dhe serbët me këtë marrëveshje, po dëshirojnë t’i kthehen realitetit, vetvetes dhe stabilitetit, po edhe paqes dhe se këto dy popuj janë gati edhe të japin kontribute për misione paqësore edhe ndërkombëtare, nga se  më mirë se të gjithë e dinë çka do të thotë me jetuar në armiqësi prej shekujsh.

Koha është për paqe, për t’i dhënë fund konflikteve fqinjësore. Çfarë të keqe i sjell Palestinës, hapja e Ambasadës kosovare në Jerusalem? Të gjitha ambasadat e akredituara nëpër botë përfaqësojnë shtete e tyre, jo për luftë e konflikte, por për paqe, komunikim dhe bashkëpunim për ndërtimin e vlerave integruese.

Jerusalemi,  është modeli më i mirë për të gjithë popujt, si jetohet dhe si bashkëpunohet sipas  mirëkuptimit ndër-fetar, të besimit monoteist (myslimanë, jevrej, krishterë) dhe se si  bashkëjetohet mes komuniteteve të ndryshme, duke e respektuar njëri-tjetrin.

Qyteti i Jerusalemit është i lashtë, po aq sa janë të vjetër popujt semit të Lindjes së Mesme dhe Gadishullit arabik, është po aq i shenjtë për besimtarët e tri feve Abrahame, sikur për Jahuditë, po ashtu edhe për të krishterët ortodoksë dhe katolikë, si dhe arabët myslimanë dhe të krishterë, sepse është vendi i lindjes së shumicës së profetëve, që nga Abrahami (Ibrahimi) e deri tek Jesu-Krishti (Isai),.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *