Përgjegjësi për punën time i jap vetëm Zotit

Ish-reisi i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Sulejman Rexhepi, pas një shkarkimi nga kreu i këtij institucioni, ai më në fund ka vendosur të mos hesht dhe të përgjigjet në opinion përmes një komunikate.

Rexhepi thotë se fushata kundër tij është jocivilizuese dhe denigruese, sepse aktiviteti i tij katër dekadëshe ka treguar të kundërtën e asaj për çfarë akuzohet dhe se veprimtaria e tij ka lënë gjurmë në Maqedoni.

”Në BFI kam dhënë kontributin tim si teolog dhe udhëheqës shumëvjeçar i saj gjatë viteve të përmbushura me vështirësi dhe shqetësime të natyrave të llojllojshme duke u përpjekur ta avancoj punën e institucionit të cilit i kam prirë, duke e profiluar dhe begatuar jetën fetare islame në mënyra të ndryshme për t’ia afruar më shumë e më fuqishëm besimtarit musliman dhe xhemateve tona. Në këtë vazhdë kam insistuar në ngritjen e cilësisë të arsimit fetar islam përmes jetësimit të vatrave arsimore dhe të Fakultetit të Shkencave Islame që kanë kultivuar nxënien e diturive të pastërta islame”, ka deklaruar Rexhepi.

Rexhepi përmes komunikatës e njofton opinionin se dorëhiqet nga posti i Reisul Ulema të BFI-së në RMV. Njëherit ai thotë se për punën e tij mban përgjegjësi përpara Zotit dhe ligjit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *