Reisul Ulema, h. Sulejman ef. Rexhepi në Konferencën “Feja Si Instrument Për Paqen”

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, nën patronatin e të cilit sot filloi në Tiranë Konferenca dy-ditore “Feja si instrument për paqen”, po merr pjesë aktive Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, h. Sulejman ef. Rexhepi.


Kjo Konferencë për avancimin e lirisë fetare të cilën Shqipëria e organizon në koordinim me Departamentin e Shtetit të SHBA, solli së bashku udhëheqësit kryesorë fetarë të rajonit, zyrtarë qeveritarë, njohës të lirive fetare dhe aktivistë nga i tërë Ballkani, Bashkimi Evropian dhe SHBA. Ky grup i përzgjedhur do të diskutojë kahjet dhe mënyrat që mundësojnë ndikimin pozitiv të prijësve fetarë në drejtim të rritjes të respektit për larminë fetare.

Konferencën e hapi me fjalën e vetë Presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, i cili theksoi se e drejta për besimin fetar në Shqipëri është një e drejtë kushtetuese nga e cila buron qëndrimi pozitiv i përgjithshëm që shteti ka ndaj pjesëtarëve të besimeve të ndryshme. Liria fetare është thelbësore për arritjen e sigurisë dhe paqes, ndërsa harmonia tradicionale ndërfetare me të cilën njihet dhe mburet Shqipëria është, pa dyshim, një model i bashkëjetesës dhe tolerancës, por atë duhet përherë kultivuar e avancuar me të gjitha mënyrat, tha ai.

Ndryshe, në Konferencën “Feja si instrument për paqen”, me fjalën e tyre u paraqitën edhe Ambasadori i Përgjithshëm për lirinë fetare pranë Departamentit të Shtetit të SHBA -Sam Broëback, Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaqi, Kryetari i Kuvendit të RMV – Talat Xhaferi, Ivan Brajoviç – Kryetar i Kuvendit të Malit të Zi, Nikola Seljakoviç- Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Sërbisë, Nusret Cancar – Ambasador i Bosnje Hercegovinës, Gramoz Ruçi- Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë Konferencës, Reisul Ulema i BFI në RMV h. Sulejman ef. Rexhepi, pati takime të shumë të frytshme me krerët fetarë të rajonit, si edhe me zyrtarë qeveritarë të shteteve të ndryshme.

Konferenca vazhdon punimet me sesionet që do të trajtojnë besimin si një e përbashkët për përparimin e paqes, si edhe rolin e fesë në shoqëritë post-komuniste./BFI/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *