KOLUMNË DËRDËLLISJET E “EKSTREMIT KATOLIK”

Dëshiroj që paraqitja e fundit e “ekstremistëve katolikë” të mbetet vetëm një dërdëllisje individuale dhe derdhje frustracionesh nga ana e dy njerëzve që kanë humbur udhën në obor, por nëse pas tyre fshehet ndonjë dirigjent, atëherë duhet të gjithë të jemi të vetëdijshëm se ai dirigjent është skajshmërisht i djallëzuar dhe armiqsor ndaj kombit tonë.Sidoqoftë, plazhet shqiptare do vazhdojnë të frekuentohen nga shqiptarët muslimanë të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut dhe ne do vazhdojmë të mbajmë në zemër Shqipërinë, sikundër do jemi edhe më të hapur e më mikpritës për shqiptarët e Shqipërisë, qofshin katolikë a ortodoksë…

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Jo një herë kemi dëgjuar në internet dërdëllisjet e “ ekstremistëve “ të ndryshëm shqiptarë të cilët kanë ofenduar pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme fetare që ekzistojnë dhe bashkëjetojnë në trungun tonë kombëtar. Dhe, gjithmonë ato ekskursione ekstremiste të individëve të trullosur nga një bindje a ideologji defektuoze kanë marrë përgjegjen e duhur nga opinioni shqiptar dhe nga intelektualët tanë.
Në këtë vazhdë, ditëve të fundit, opinionin tonë e trazuan deklaratat e dy shqiptarëve të cilët sipas emrave duket se i takojnë besimit katolik. Këta dy individë të cilët u cilësuan si “ekstremistë katolikë” derdhën mllefin e vetë të jotolerancës dhe fillimisht i shanë e i ofenduan shqiptarët muslimanë të Maqedonisë e të Kosovës duke u kërcënuar se do i vrasin e do i zhdukin po erdhën në plazhet shqiptare. Në paraqitjen e tyre të dytë ata e zgjëruan gamën e frustracioneve të veta edhe mbi shqiptarët muslimanë të Shqipërisë.
U shqetësuan njerëzit tanë të rëndomtë, u dëgjuan muhabete të cilat përherë dëgjohen pas përhpajes së thashethënave, lexuam komente të papërmbajtura të “ekstremistëve” të palës tjetër.Por, për fat, shteti shqiptar dhe organet kompetente e cilësuan drejtë paraqitjen e dy “ekstremistëve katolikë” dhe ndërmorën aksion serioz për t’i parandaluar këta përhapës të urrejtjes ndërfetare. Mbetet të shohim çfarë do zbulojnë më tepër organet shqiptare të sigurisë, a do detektojnë ata ndonjë celulë ekstremiste. Nëse këto paraqitje janë të nxitura nga ndonjë organizatë, gjë të cilën askush nga ne nuk e dëshiron, atëherë, pa dyshim, kemi të bëjmë me një vepër të rëndë kriminale që mëton të ngjallë urrejtje mes shqiptarëve. Pra, le të veprojnë ligji dhe organet e sigurisë, sikurse veprojnë kur janë në pyetje ekstremistët e fshehur nën petkun e Islamit.
Më ka rastisur shpesh të flas e të deklarohem për veprime të këtilla të cilat rerezikojnë harmoninë fetare aq të njohur të shqiptarëve. Dhe, asnjëherë nuk kam nxituar të gjykoj e të përgjithsoj gjërat, asnjeherë nuk kam drejtuar gishtin nga një komunitet i tërë fetar për shkak të veprimit të disa individëve që kanë folur e vepruar në emër të atij komuniteti. Edhe kësaj here nuk po bëj ashtu sepse në të kundërtën,logjikisht, do më duhej të pajtohem me përpjekjet shumëvjeçare të qarqeve të ndryshme që të anatemojnë fenë time sepse ndonjë pjestar i sajë paska ide ekstremiste ose qenka i radikalizuar. Jo, veprimi i pa matur i disa individëve, qofshin muslimanë, katolikë apo ortodoksë, nuk e dëshmon përcaktimin e të gjithë pjesëtarëve të atyre besimeve. Këtë bindje e kam të ndërtuar në bazë të parimeve islame dhe këtë përpiqem t’a dëshmoj.
Por, duke marrë parasyshsë shpejtësinë marramendëse të përhapjes së dezinformatave e të nxitjes së urrejtjes që , mjerisht, po i mundëson sot elektronika dhe teknologjia, mendoj që në raste të këtilla është i domosdoshëm veprimi dhe shprehja e menjëhershme e qëndrimit kundërshtues nga ana e të gjithë neve që udhëheqim me bashkësitë fetare në të cilat janë të organizuar shqiptarët.
Sepse, ne krerët e bashkësive fetare, duke folur në emër të komuniteteve tona, në mënyrën më efikase do të parandalojmë mundësinë e nxitjes së përçarjeve duke e spjeguar tolerancën që e urdhëron feja, sepse ne më mirë se çdokush tjetër jemi të vetëdijshëm që keqpërdorimi i fesë dhe manipulimi me ndjenjat fetare të besimtarëve është shtegu që shpie drejtë humnerës. Ne, zyrtarët e bashkësive fetare, e kemi të qartë më shumë nga të tjerët se sa përpjekje kanë bërë parardhësit tanë dhe sa shumë po përpiqemi ne vetë për të vazhduar kultivimin e përbashkësisë dhe tolerancës ndër shqiptarë. Andaj,para së gjithash dhe mbi të gjitha, mbi ne bie detyrimi për të mbrojtur pastërtinë e fesë nga njerëz që nuk ia kanë idenë se çfarë udhëzon dhe çfarë urdhëron feja.
Dëshiroj që paraqitja e fundit e “ekstremistëve katolikë” të mbetet vetëm një dërdëllisje individuale dhe derdhje frustracionesh nga ana e dy njerëzve që kanë humbur udhën në obor, por nëse pas tyre fshehet ndonjë dirigjent, atëherë duhet të gjithë të jemi të vetëdijshëm se ai dirigjent është skajshmërisht i djallëzuar dhe armiqsor ndaj kombit tonë. Është krim mbi krimet të sulmosh harmoninë ndërfetare shqiptare që ndër shekuj e kanë kultivuar muslimanë, ortodoksë e katolikë,andaj të gjithë ne duhet të reflektojmë në këtë drejtim.
Sidoqoftë, plazhet shqiptare do vazhdojnë të frekuentohen nga shqiptarët muslimanë të Kosovës e të Maqedonisë së Veriut dhe ne do vazhdojmë të mbajmë në zemër Shqipërinë, sikundër do jemi edhe më të hapur e më mikpritës për shqiptarët e Shqipërisë, qofshin katolikë a ortodoksë.Ky le të jetë reflektimi ynë nismëtar, për të tjerat le të reflektojë shteti shqiptar.
Dhe, të mos harojmë: Zoti urdhëron dashurinë dhe mirëkuptimin mes të gjithë njerëzve,kurse dashuria dhe mirëkuptimi mes vëllezërve të një gjuhe e të një kombi është i vetëkuptueshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *