Myftiu Saqipi: Madhështia e festës së Fitër Bajramit

Pritja e Fetstës së Fitër Bajramit, në Tërnoc dhe rrethinë, është kthyer në një traditë me vlera të larta fetare e shoqërore. Jo vetëm, Tërnoci, por edhe gjithë Lugina e Preshevës, është kthyer në një gëzim dhe hare, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore.

Lidhur me këtë festë kaq të dashur të myslimanëve në të gjithë botën, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe z/reis i Rijasetit në Bashkësinë Islame të Serbisë për Jetapress tha: “Sot, është ditë festë për ata myslimanë, që kanë ndryshuar dhe kanë përmirësuar veten, e ndjejnë veten se janë bërë myslimanë të devotshëm, se janë kthyer në identitetin e një besimtari, i cili e ka shijuar ëmbëlsirën e Imanit-besimit, i cili ka vendosur me jetuar si mysliman, si dhe ka ndërtuar karakterin, duke e kthyer dinjitetin si njeri, si intelektual, udhëheqës, burrë shtetas dhe profesionalist i vërtetë”.

Ngase sipas Myftiut Saqipi, në këto ndryshime dhe standard, që po ecën bota drejtë integrimeve dhe proceseve globale, shqiptarëve dhe vendit tonë i duhen njerëz të devotshëm, besnikë, të sinqertë, të ditur, intelektualë, po edhe qytetarë me karakter e burrni të fortë.

“ Prandaj, sot është festë për ata që kanë punuar me ndryshuar vetveten dhe me ec hapave të ndryshimeve me standardet universale, që i garanton Krijuesi i Gjithësisë, të bazuara në devotshmëri, besim, udhëheqje, dije dhe profesionalizëm, që garantojnë paqen dhe sigurinë e të gjitha krijesave”, u shpreh në fjalimin e tij të ndjekur nga qindra besimtarë të Tërnocit me rrethinë, Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, njofton Jetapress.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *