Sadaka si garanci për xhenet

Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë thekson se njerëzit dhe xhinët i ka krijuar vetëm për të iu bindur dhe për t’i bërë ibadet Atij. Si një nga format e ibadetit dhe bindjes ndaj të Plotfuqishmit theksohet edhe dhënia e sadakës dhe ndihma e të tjerëve në emër të Allahut të Madhërishëm. Në disa ajete në vazhdim, do të shohim se çfarë konkretisht thotë Kurani famëmadh në lidhje me dhënien dhe ndarjen e sadakës:

إِنَّ الْمُصَّدِّقِينَ وَالْمُصَّدِّقَاتِ وَأَقْرَضُوا اللَّـهَ قَرْضًا حَسَنًا يُضَاعَفُ لَهُمْ وَلَهُمْ أَجْرٌ كَرِيمٌ ﴿١٨

“Ata dhe ato që japin sadakë dhe vullnetarisht i japin hua Allahut, do t’u kthehet shumëfish dhe për ta ka shpërblim fisnik.” (el-Hadid 57:18)

إِن تُبْدُوا الصَّدَقَاتِ فَنِعِمَّا هِيَ  وَإِن تُخْفُوهَا وَتُؤْتُوهَا الْفُقَرَاءَ فَهُوَ خَيْرٌ لَّكُمْ  وَيُكَفِّرُ عَنكُم مِّن سَيِّئَاتِكُمْ  وَاللَّـهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ ﴿٢٧١

“Nëse sadakën e jepni haptazi, kjo është mirë, e nëse ua jepni të varfërve fshehurazi – ajo është edhe më mirë, dhe Ai ua shlyen disa nga mëkatet tuaja. – Se Allahu i di mirë ato që punoni ju.” (el-Bekare, 271)

وَسَارِعُوا إِلَىٰ مَغْفِرَةٍ مِّن رَّبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ ﴿١٣٣﴾ الَّذِينَ يُنفِقُونَ فِي السَّرَّاءِ وَالضَّرَّاءِ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ  وَاللَّـهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ ﴿١٣٤

“Nxitoni kah falja e mëkateve nga Zoti juaj dhe xheneti, hapësira e të cilit është sa qielli e Toka; i cilit është përgatitur për ata që i ruhen Allahut (duke punuar vepra të mira). Të cilët japin sadakë kur janë në lumturi edhe kur janë në vështirësi, që fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve. Se Allahu i don bamirësit.” (Ali Imran, 133-134)

لَن تَنَالُوا الْبِرَّ حَتَّىٰ تُنفِقُوا مِمَّا تُحِبُّونَ  وَمَا تُنفِقُوا مِن شَيْءٍ فَإِنَّ اللَّـهَ بِهِ عَلِيمٌ ﴿٩٢

“Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni. Por çkado që të ndani, Allahu e di atë.” (Ali Imran, 92)

…  وَمَا أَنفَقْتُم مِّن شَيْءٍ فَهُوَ يُخْلِفُهُ  وَهُوَ خَيْرُ الرَّازِقِينَ ﴿٣٩

“… Ai (Allahu) ua kompenson atë që e ndani ju; dhe Ai është më i miri furnizues.”(es-Sebe’, 39)

Sadaka dhe ndarja në emër të Allahut janë rekomanduar edhe me sunetin e Pejgamberit Muhamed (savs), i cili thotë se Allahu i Plotfuqishëm në hadith kudsij ka thënë: “O njeri, ndaje pasurinë, e pastaj Unë do të jap ty!” (Buhariu, Muslimi)

Po ashtu ka thënë: “Jepni sadakë, sepse sadaka është shpëtim nga Zjarri.”

Dhënia dhe ndihma për të tjerët ishte zakon edhe i pejgamberëve të mëparshëm

Brezi i parë i muslimanëve edhe me veprimet e tij na ka shpjeguar se si të aplikohen në praktikë ajetet e mësipërme.

Në krye të të gjithë donatorëve dhe bamirësve ishte Pejgamberi (savs). Dhënia e dhuratave dhe ndarja e sadakave ishin gjërat më të dashura të tij. Ai ndjente gëzim dhe lumturi kur ishte në gjendje për të ndarë, kështu që i udhëhequr nga Shpallja, edhe vet i inkurajonte të tjerët për të ndarë dhe për të dhuruar. Pejgamberi (savs) ishte njeriu më bujar. Dora e tij e djathtë ishte si një erë e cila u sjell njerëzve dobi dhe të mira. Kur i vinte dikush që kishte ndonjë nevojë, ai i jepte përparësi para vetes së tij, nganjëherë në aspektin e ushqimit, e nganjëherë në aspektin e veshjeve.

Duke bërë bamirësi të shumëllojshme në prani të shokëve të tij, ai ua mësoi atyre bujarinë, përulësinë dhe sinqeritetin në dhënie dhe ndarje. Janë të njohur shembujt të ndarjes dhe dhurimit si vakëf të pasurisë në rrugën e Allahut nga ana e Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit dhe Aliut (r.a.). Ata dinin që ndonjëherë ta ndajnë dhe ta japin edhe krejt pasurinë e tyre në rrugën e Allahut, nëse këtë e kërkonte nevoja. Më vonë, ata edhe si halifë kanë ndarë dhe i kanë ndihmuar të tjerët. Ata kanë dëshiruar që këtë ta bëjnë fshehurazi duke dashur me këtë të ikin nga syefaqësia dhe pandershmëria në ndarje.

Sadakë kanë ndarë dhe me të u kanë ndihmuar muslimanëve edhe sahabët tjerë të famshëm dhe tabiinët. Transmetohet se Talha ibn Ubejdullah në një rast kishte ndarë 40.000 dërhem për ata që kishin nevojë. Në mënyrë të ngjashme, kishte vepruar edhe Zubejr Ibn Avvam, Abdurrahman ibn Avf dhe të tjerët.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi (r.a.) se ka thënë: “Ebu Talha në Medinë posedonte më së shumti palma. Më e dashur për të nga pasuria e tij ishte kopshti Birha, i cili gjendej në drejtim të xhamisë. Pejgamberi (savs) aty hynte dhe pinte ujë prej tij.”

Enesi më tej ka thënë: “Kur u shpall ajeti: “Nuk do ta meritoni shpërblimin deri sa të ndani atë që e keni më të dashur”, Ebu Talha erdhi tek Pejgamberi (savs) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, Allahu thotë: “Nuk do ta meritoni shpërblimin deri sa të ndani atë që e keni më të dashur.” Birha ime për mua është më e dashur. Atë po e bëj sadakë në emër të Allahut. Unë shpresoj se për të do të marrë shpërblim prej Allahut, andaj, ti o i Dërguari i Allahut, shfrytëzoje për çfarë kërkon Allahu.”

Atëherë Pejgamberi (savs) ka thënë: “Të lumtë! Kjo është një pasuri e cila do të sjellë shumë përfitime (të mira).”

Transmetohet se imami Ebu Hanife i kishte huazuar një personi 4.000 dërhem për një kohë të caktuar. Më vonë Ebu Hanife vuri re se personi në fjalë çdo herë kur e shihte në rrugë Imamin, ai shmangej në një tjetër rrugë. Kjo e habiti Ebu Hanifen, andaj vendosi me një rast që ta ballafaqojë atë njeriun dhe i tha: “O miku im, pash Allahun, çfarë të keqe të kam bërë që po ik të takohesh me mua dhe po shkon në rrugë tjetër?”

Njeriu e uli kokën e tij me turp tha: “O Ebu Hanife, ti më ke huazuar mua 4000 dërhem për një kohë të caktuar. Ai afat ka kaluar dhe unë nuk kam me t’i kthyer. Prandaj, për këtë arsye po turpërohem dhe vetëm për këtë arsye po të anashkaloj.”

Imami, i cili kishte harruar tashmë se ky njeri i kishte huazuar, të hollat e përmendura, i thotë: “Allahu të mëshiroftë! A të hollat të bëhen shkak i shmangies dhe mos takimit tonë. Pasha Allahun, ato të holla nuk do të bëhen shkak për ndërprerjen e miqësisë sonë. Unë po ta fali borxhin dhe po ta bëj hallall në emër të Allahut!”

Çfarë gjesti fisnik i imamit Ebu Hanife. Sa kuptim fisnik i një hadithi në të cilin Pejgamberi (savs) thotë: „Ai që e shtyn pagesën e borxhit ndaj atij që nuk është në gjendje ta kthejë, ose ia fal borxhin, Allahu i Madhërishëm në Ditën e Gjykimit do ta strehojë atë në hijen e Arshit Tij, kur nuk ka tjetër hije përveç hijes Tij!“ (Tirmidhiu)

Gjithashtu, Pejgamberi (savs) ka thënë: „Një njeri u kishte dhënë hua njerëzve, ndërsa shërbëtorit tij i kishte thënë: ‘Kur të shkon te i varfri, mos kërko prej tij (falja borxhin) ndoshta edhe neve na fal Allahu, kështu kur ai erdhi tek Allahu, Ai ia fali’!“ (Buhariu, Muslimi)

Adabet e ndarjes së sadakës:

– Ndershmëria. Është thelbësore që ne të japim sadakën për hir të Allahut dhe jo për tu treguar dhe për tu mburrur para njerëzve.

– Ndarja e sadakës në mënyrë të fshehtë, për tu ruajtur njeriu nga syefaqësia (shtirja).

– Që të jetë nga pasuria hallall.

– Ndarja e pasurisë më të mirë dhe më të dashur.

– Që të jetë me gjithë zemër dhe me fytyrë të qeshur.

– Që njeriu mos ta prish sadakën e tij duke e përfolur dhe përmendur.

– Që njeriu nëse ka dhënë më shumë pasuri të mos konsideroj se ka bërë diçka shumë të veçantë. Asnjëherë nuk e dimë se çka dhe sa do të pranojë Allahu i Madhërishëm. Çdo gjë varet nga devotshmëria dhe sinqeriteti ynë të cilën nuk mund ta fshehim nga Allahu i Plotfuqishëm.

– Që mos të nënvlerësohet asnjë sadakë, qoftë edhe nëse jepet diçka pak (e vogël),

– Që sadaka e cila jepet të bëhet e vazhdueshme, si vakëf e të ngjashme, ashtu që nga ajo të ketë pjesë në shpërblim edhe pas vdekjes së tij.

– Që sadaka t’i jepet atij i cili vërtetë e meriton dhe atij që vërtetë e shfrytëzon në bindje ndaj Allahut, e jo atij që nuk ka nevojë për të, as atyre që janë mëkatarë ndaj Allahut dhe përkrahës të risive në fe.

Le të japim sadakë edhe për të vdekurit tonë

Sadakën e japim në emër të Allahut të Madhërishëm, për përkrahjen e luftës në rrugën e Allahut, për thirrje (të njerëzve për të vërtetën), për ndërtimin e xhamive, për kujdesin për jetimët dhe gratë e veja, për të ndihmuar të varfrit dhe për ndarjen e ushqimit, pijes dhe rrobave për ta.

Sadakë konsiderohet edhe dhënia e borxhit atyre që kanë nevojë, pastaj falja e borxhit atyre që nuk janë në gjendje ta kthejnë.

Përveç këtyre formave të sadakës, Muhamedi (savs) në hadithet e tij ka përmendur edhe forma të tjera të hajratit, të cilat mund t’i bëjmë dhe të na shkruhen si sadakë, por për këto do të flasim ndonjë herë tjetër, in sha Allah.

E konsideroj me rëndësi të përmendim se dijetarët islamë janë dakord në faktin se të vdekurit kanë dobi nga sadaka të cilën e japin të gjallët për të vdekurit e tyre. Sadaka të cilën e japim ne për të vdekurit tonë, do të jetë një dhuratë e madhe për ta, dhe bashkë me lutjen për faljen e mëkateve të tyre, është mirësi e madhe për shkak të cilës Allahu i Madhërishëm do t’ua falë disa mëkate të caktuara, të cilat ata i kishin mbi vete. Për këtë flasin një numër i haditheve të Pejgamberit (savs).

Prandaj, le të japim sadakë për të vdekurit tonë dhe të bëjmë lutje për faljen e mëkateve të tyre, ashtu siç bëri Pejgamberi (savs). Kjo do të jetë shumë e dobishme për ta, shumë e dobishme për ne, dhe, pasha Allahun, shumë e dobishme edhe për ata të cilëve ju jepet dhe ju ndahet sadaka, sepse në kohën e tashme është numër i madh i atyre që kanë nevojë për tu dalë në ndihmë, në çfarëdo mënyre që është e lejuar dhe e rekomanduar me fe.

O Allahu ynë, na bëj neve prej atyre të cilët ndajnë dhe ju ndihmojnë të tjerëve vetëm në emrin Tënd! Na jep sinqeritet dhe devotshmëri që të bëjmë ashtu qysh don Ti! Na bëj prej atyre, të cilët për shkak të sadakës dhe dhënieve do të jenë nën hijen Tënde, atëherë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç saj! Amin!

Akos.ba; Admir Iković; Përkthim: Miftar Ajdini

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *