Mesazhe nga beteja e Bedrit

Sot është dita e 17 e muajit Ramazan. Në këtë ditë nën flamurin e Muhamedit (savs), sahabët për herë të parë haptazi u përleshën me armikun me numër tre herë më të madh. Në këtë ditë u zhvillua beteja më e madhe në historinë e Islamit. Ka pasur edhe beteja të tjera që për nga numri i pjesëmarrësve dhe për nga numri i të vrarëve dhe të plagosurve ishin edhe më të mëdha, më masive dhe më shkatërruese. Mirëpo, kjo betejë është quajtur më e madhja për shkak të rezultateve të saj të cilat i ka prodhuar. Në fakt, pas kësaj beteje muslimanët për herë të parë filluan të kenë një vlerë në skenën botërore. Për herë të parë muslimanët filluan të paraqiten si forcë, si element ushtarak dhe politik të cilët nuk duhet as nuk mund të injorohen. Çdo betejë pasuese shartohej në betejën e Bedrit. Ajo ishte, dhe mbeti sinonim i fitores së Islamit ndaj politeizmit, simbol i fitores së imanit ndaj kufrit, i tevhidit ndaj shirkut, simbol i fitores së luftëtarëve të pakët dhe me përgatitje të dobët ndaj ushtrive të mëdha dhe të pajisura mirë. Beteja e Bedrit edhe në ditët e sotme na i përcjell disa mesazhe shumë të rëndësishme.

  1. Mesazhi i parë i Bedrit është se ai që lufton në anën e Allahut kurrë nuk është humbës, ndërsa ai që pozicionohet në kampin e shejtanit ai është humbës i sigurt.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Ata që besojnë, luftojnë në rrugën e Allahut; kurse ata që nuk besojnë – luftojnë në rrugën e shejtanit. Luftoni kundër miqve të shejtanit! Sepse me të vërtetë, dinakëria e shejtanit është e dobët.” [en-Nisa, 76]

  1. Mesazhi i dytë i Bedrit është se Allahu i Plotfuqishëm ju jep fitore edhe grupeve më të vogla dhe më pak të pajisura dhe ju jep atyre ndihmën e drejtpërdrejtë, në mënyrë që t’i forcojë besimtarët në rrugën e vërtetë.

Thotë Allahu i Plotfuqishëm: “Ju keni shembullin në dy ushtritë që ishin në konflikt: njëra që luftoi në rrugën e Allahut, dhe tjetra – e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes ka dy herë më shumë kundërshtarë. Se Allahu me ndihmën e vet e forcon kënd të dojë. Kjo, me të vërtetë, është këshillë për largpamësit.” [Alu Imran, 13]

  1. Mesazhi i tretë i Bedrit është se, jeta është një luftë konstante dhe e vazhdueshme.

Pasi që u kthyen nga beteja e Bedrit, Pejgamberi (savs), tha: “Jemi kthyer nga një luftë e vogël në një luftë të madhe, e ajo është luftë kundër vetes, lufta kundër nefsit tonë.”

Lufta në fushën e betejës mund të zgjasë një ose dy ditë, mund të zgjasë edhe disa muaj, por pasiqë mposhtet armiku ose dorëzohet, lufta mbaron. Mirëpo, lufta kundër vetvetes, kundër dëshirave të shpirtit tonë zgjat çdo ditë, çdo orë, çdo minutë dhe çdo sekondë. Pastaj, armiku të cilin e kemi para nesh është i fortë, i ndërlikuar, i armatosur me të gjitha dredhitë, fjalëmbël, joshës dhe nuk e pengon asgjë për të arritur te qëllimi i tij, që është shpirti ynë. Mjerë ai që i dorëzohet shejtanit që ta komandojë se çka duhet të ndjekë dhe si duhet ta drejtojë shpirtin e tij.

Nga momenti kur zgjohemi ne jemi vazhdimisht në luftë me shpirtin tonë. Le ta marrim për shembull ngritjen për namaz të sabahut. Për disa kjo është jashtëzakonisht e vështirë, shpirti dëshiron edhe më shumë gjumë, shejtani nga ana tjetër i pëshpërit, rri edhe pak, se do të zgjohesh, do të falesh, vetëm edhe ndonjë minutë … Nëse nuk mund t’i rezistojmë dëshirës së shpirtit tonë do të na mbetet sabahu dhe nuk do ta falim me kohë.

Pejgamberi (savs) thotë: “Pastërtia është gjysma e imanit (besimit), Elhamdulilahi (falënderimi Allahut) ia plotëson (besimtarit) peshojën (e veprave), Subhanallahivel-hamdulilahi (lavdia dhe falënderimi Allahut) e mbush gjithçka në mes të qiejve dhe të Tokës, namazi është dritë (e zemrës), sadakaja (lëmosha) është dëshmi (e besimit), durimi (sabri) është shkëlqim, kurse Kurani është argument për ty ose kundër teje. Të gjithë njerëzit kur gdhin, nxitojnë për ta shitur shpirtin e tyre. Me atë rast ose e shpëtojnë ose e shkatërrojnë.” (Transmeton Muslimi)

Do të ndalemi pak vetëm në komentin e pjesë së fundit të hadithit, ku Pejgamberi (savs), thotë: Të gjithë njerëzit kur gdhin, nxitojnë për ta shitur shpirtin e tyre. Me atë rast ose e shpëtojnë ose e shkatërrojnë.

Çdo njeri ngutet, ngritët herët në mëngjes për ta shitur shpirtin e tij. Në mënyrë të njëjtë sikurse ai që ka ndonjë mall, ngutet për në treg, shkon herët që ta shesë sa më mirë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por pyetja është se kujt ia shet njeriu shpirtin e tij.

Ata kanë vetëm dy blerës, njëri është Allahu i Plotfuqishëm, kurse tjetri është shejtani dhe pasionet e njeriut.

Kurani thotë: “Allahu, me të vërtetë, ka blerë nga besimtarët e vet trupin dhe pasurinë e tyre, për t’iu dhuruar atyre xhenetin…” (et-Tevbe, 111)

Megjithatë, kjo gjithashtu mund të përkthehet edhe kështu: “Të gjithë njerëzit nguten dhe i shesin shpirtrat e tyre.”

Kështu, në një hadith Pejgamberi (savs) thotë: “Çdo njeri ka një vend në xhenet dhe një në xhehenem, pastaj nëse bën vepra të mira, e mban vendin në xhenet, ndërsa nëse bën vepra të këqija e mban vendin në xhehenem.”

I lutemi Allahut të Plotfuqishëm që të na bëjë prej atyre që luftojnë me sukses kundër cytjeve të shejtanit, kundër dëshirave të shpirtit tonë dhe që shpirtrat tanë t’ia shesim Allahut në këmbim të xhenetit.

“O Krijuesi ynë, mos lejo që zemrat tona të lajthisin, kur tashmë në rrugë në drejtë na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirën Tënde; Ti, vërtet, je Ai i cili dhuron shumë!” Amin.

Përshtati: Miftar Ajdini

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *