Mirësia është lumturia e botës

Nëse të gjithë ne pajtohemi se Ramazani është Muaj i Shenjtë në të cilin besimtarët i mbulon Paqa e Mëshira e Zotit, nëse ky muaj duhet të përmbushë zemrat tona me dashuri e respekt për njëri tjetrin, nëse shpirti ynë duhet të kënaqet me qetësinë dhe mirësinë që rrezaton besimi i sinqertë, pse në këtë muaj të veçantë dikush po mbjellë fitnen e fesatin ? 

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Ditët e agjërimit çdo agjërues I përshkruan si një ndjenjë ngrohtësie e kënaqësie, si një emocion i veçantë që ngjallë mirësi dhe mirëbesim, Sëkëndejmi, ky tekst i imi dëshiroj të jetë një reflektim i vogël për bukuritë e mirësisë, për të qenurit njeri i mirë e human, njeri solidar dhe tolerant. Në këtë reflektim nuk dua fare të merrem me fitnen e fesatin, me shpifjet e dezinformatat të cilat, mjerisht po plasohen shpesh piikërisht gjatë Ramazanit nga qendra të ndryshme destruktive. Nuk dua të merrem me këto gjëra sepse dua të respektoj Zotin dhe Muajin e Shenjtë që Ai e ka caktuar si muaj në të cilin besimi ynë vehet në sprovë mes tjerash edhe me mirësinë që buron nga zemra e besimtarit musliman.
Nuk ka asnjë dyshim se Zoti është kulmi i mirësisë, se Ai është vetë Mirësia të cilës besimtari musliman synon t’i afrohet. E ai afrim ndaj mirësisë së Zotit nënkupton mirësinë tonë, sjelljet dhe besimin e pa rezervë, nënkupton bindjen se vetëm duke bërë mirë mund të ndryshojmë botën që po zhytet në kaos dhe të vendosim harmoninë mes njerëzve të clën Zoti e do dhe Zoti e urdhëron.
Por, a është e mundur që njeriu të bëhet i mirë kur gjithandej ndeshet me mashtrimin e zilinë, krimin dhe shpifjen, abuzimin dhe shantazhin ?
Po, është e mundur nëse i përmbahemi të vërtetave dhe porosive Kur’anore dhe ata që na kanë bërë një të keqe i turpërojmë duke ua bërë një të mirë. Atëherë do sundojë e mira dhe mirësia, humaniteti dhe dashuria.
Po, ne mund të dëshmojmë mirësinë tonë shumë më tepër se sa mendojmë kur ballafaqohemi me të këqijat e kësaj bote.Mjafton të shikojmë brënda zemrës tonë, aty ku është dashuria dhe bindja ndaj Zotit. Mirësia është e vërtetë vetëm kur është e sinqertë, kur e ka burimin aty ku buron besimi.Pra. mrësia nuk është diçka që mund të imponohet dhe njeriu është i mirë vetëm atëherë kur bën gjëra të mira që e përmbushin, kur dëshiron të jetë human ndaj njeriut tjetër pa dallim përkatësie, kur me mirësinë e vetë i përgjigjet urdhërave të Krijuesit të vetë.
Mirësia është aftësia jonë për të kuptuar ndjenjat e tjetrit, është aftësia për të ndarë gëzimin dhe hidhërimin e tjetrit dhe e tërë kjo ndikon dhe mundëson të avancojmë jetën tonë në drejtimin e duhur, gjë e cila doemos përfshin edhe familjen dhe edukatën e brezave të rinjë. E tërë kjo ka vlerë dhe vend të veçantë në Islam.
Prandaj, logjikisht shtrohet një pyetje në këto ditë kënaqësie që po i kalojmë në agjërim:
Nëse të gjithë ne pajtohemi se Ramazani është Muaj i Shenjtë në të cilin besimtarët i mbulon Paqa e Mëshira e Zotit, nëse ky muaj duhet të përmbushë zemrat tona me dashuri e respekt për njëri tjetrin, nëse shpirti ynë duhet të kënaqet me qetësinë dhe mirësinë që rrezaton besimi i sinqertë, pse në këtë muaj të veçantë dikush po mbjellë fitnen e fesatin, përçarjen e shkatërrimin ?
Dua të theksoj se vetë fakti që Zoti na ka shpërblyer me këtë Muaj të Bekuar, do të thot se besimtari duhet të kultivojë këtë shpërblim duke e shfrytëzuar në mënyrë të drejtë. E mira që vie nga Zoti ruhet vetëm me falenderim ndaj Zotit dhe adhurim të Zotit.
Dhe, të mos harojmë se për të rumbullakësuar mirësinë që Zoti e do nga ne, nuk mjafton vetëm mirësia individuale, ne të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që botë të cilën do e trashëgojnë të rinjtë të jetë sa më shumë e mbuluar me mirësi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *