NATO ka gëzuar të gjithë myslimanët e Maqedonisë së Veriut

Pas nënshkrimit të Protokollit të pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancën veriatlantike më 6 shkurt, 2019, kreu i Bashkësisë Fetare Islame në vendin tonë, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi, ka uruar Sekretarin e Përgjithshëm Jens Stoltenberg, Kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti në këtë ditë historike për tërë popullin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në veçanti për qytetarët e saj myslimanë.

Si zë islam – ka thënë kreu i BFI-së në urim – jemi shumë të gëzuar për pranimin e vendit tonë në NATO, duke e çmuar lart kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA-ve dhe të të gjitha vendeve euroatlantike në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës.

Bashkësia Fetare Islame, i gjithë kreu i saj, vazhdimisht kemi qenë të angazhuar në ruajtjen e vlerave tradicionale islame, të fqinjësisë së mirë brenda dhe jashtë vendit, në zhvillimin e përhershëm të demokracisë, të shtetit të së drejtës, të kultivimit të papenguar të feve të shpallura dhe veçmas të fesë islame këtu e më gjerë.

Duke qenë vendi ynë anëtari i 30-të në Aleancën veriatlantike, konsiderojmë se kjo do t’i kontribuojë paqes, mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor e më gjerë.
Zoti është me ata që Atë e duan dhe që sakrifikojnë për Të. Urime të gjithëve!

H. Sulejman ef. Rexhepi
Reisul Ulema i BFI së

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.