Njihu me historinë Islame (Islami në ishullin e Siçilisë) 1

Njihu me historinë Islame (Islami në ishullin e Siçilisë) 1

Islami në Siçili

Siçilia, ishulli i njohur dhe më i madhi i detit Mesdhe i cili sot është i Italisë. Ky ishull për një periudhë kohore mbi 250 vjeçare ka qenë nën sundimin e myslimanëve të cilët depërtuan në ishull nëpërmjet Afrikës veriore.

Nga viti 212H-296H është sunduar nga sundimtarë të shtetit të El-Egalibe.
Nga 296H-336H është sunduar nga sundimtarë të shtetit të El-Fatimijin.
Nga viti 336H-444H është sunduar nga familja Beni Kelb.
Nga 444H-484H provinca të ndara me sundimtarë lokal.
Në vitin 484H myslimanët humbin plotësisht sundimin e ishullit në favor të normanëve në kohën mbretit të tyre Ruggero i parë.
Shkaku se pse e zgjodha këtë temë për të shkruar rreth saj është se para disa kohësh duke kërkuar për një çështje fetare, kërkimi më lidhi me emrin e një shkencëtari të njohur mysliman në fushën e gjeografisë i cili mban llagapin “Babai i Gjeografisë” Al-Idrisi (493H-560H) dhe që ka jetuar në ishullin e Siçilisë. Kjo gjë më kujtoi disa lexime të miat të hershme rreth historisë së ishullit dhe se ky ishull në një periudhë të hershme të historisë ka qenë nën sundimin e myslimanëve, gjurmët e të cilëve gjenden akoma sot e kësaj dite. Studiuesit e konsiderojnë Sicilinë, Andaluzinë dhe anën

Egjiptit me Shamin si tre portat më të hershme të depërtimit të civilizimit islam në Evropë para se t’ju shtohej atyre edhe porta e Ballkanit në kohën e osmanlinjve. Shumë dijetarë të islamit mbajnë emra familjesh që tregojnë prejardhjen e tyre nga këto vende. Kështu, para gjithë këtyre fakteve e ndjen detyrë të hedhësh pak dritë mbi këtë periudhë të harruar të historisë sonë.

Si depërtuan myslimanët në Siçili?

Historia e depërtimit të myslimanëve në Siçili është e lidhur ngushtë me qytetin e njohur të Kajrauanit në Tunizinë e sotme dhe me shtetin e Egalibeve që sundoi Afrikën veriore nga viti 184H-296H.

Kajrauani është qytet i vjetër dhe fillimet e tij si qytet dhe si qendër e madhe i ka në vitin 50H kur e themeloi atë komandanti i famshëm mysliman, tabiini i njohur Ukbe bin Nafi’. Ukbe bin Nafi’ -Allahu e mëshiroftë- është prej komandantëve ushtarakë më të spikatur të tabinëve duke e mbajtur atë post në kohen e katër kalifëve të mëdhenj: Umerit, Uthmanit, Aliut, dhe Muavijes -radiallahu anhum-. Sundimi i Kajrauanit dhe Afrikës veriore ka kaluar në duart e shumë prijësve myslimanë deri sa vjen viti 184H kohë kjo kur sundimi kalon në duart e Egalibeve.

Çliruesit e Siçilisë janë nga prijësit e Kajrauanit të shtetit të Egalibeve.
Në vitin 184 H një komandant mysliman që quhet Ibrahim bin El-Egleb nën vartësinë kalifit Harun Er-Rashidit -Allahu e mëshiroftë- bëhet vali i Afrikës dhe për qendër merr qytetin e Kajrauanit. Ai më pas formon një dinasti që quhet dinastia e Egalibeve. Ibrahimi vdiq në vitin 195H dhe vendin e tij e zuri i biri i tij Abdullah bin Ibrahim bin El-Egleb i cili qëndroi në pushtet deri sa vdiq në vitin 201 H. Pastaj në pushtet vjen vëllai i Abdullahut Zijadetullah bin Ibrahim bin El-Egleb i cili është dhe çliruesi i Siçilisë.
Në kohën e Zijadetullah bin Ibrahim ka jetuar një dijetar shumë i njohur me shumë ndikim në çlirimin e Siçilisë dhe që është Esed bin El-Furat. Esed bin El-Furati -Allahu e mëshiroftë- është nxënësi i imam Malikut -Allahu e mëshiroftë-. Ai në vitin 172H pati një udhëtim për në vendet e lindjes së kalifatit islam dhe mori dije drejtpërdrejt nga imam Maliku në Medine pastaj kaloi në Irak dhe mori dije prej dy pasuesve të imam Ebu Hanifes: Ebu Jusufit dhe Muhamed bin Hasen Esh-Shejbanit -Allahu e mëshiroftë- dhe pastaj kaloi në Egjipt dhe u takua me Ibn El-Kasim nxënësin e madh të imam Malikut -Allahu e mëshiroftë-. Ai pas kthimit të tij u bë mësues i medhhebit të imam Malikut dhe prej duarve të tij doli një tjetër dijetar i këtij medhhebi Sehnun bin Said ku që të dy së bashku kanë pjesë te libri bazë i medhhebit të imam Malikut “El-Mudeuune”. Ja çfarë thotë historiani Imam Dhehebiu: “Përsa i përket librit El-Mudeuueneh origjina e tij janë pyetjet e Esed bin El-Furat që ia ka bërë Ibn El-Kasimit. Pastaj kur Sehnuni shkoi te Ibn El-Kasimi dhe ia paraqiti atij (për së dyti), ai saktësoi shumë prej tyre, i sistemoi ato dhe i ndau në kapituj duke përmendur për shumë çështje të saj edhe argumentet”.
Esed bin El-Furati në vitin 204 H bëhet kadiu i Kajruanit nën vartësinë e Zijedetullah bin Ibrahim bin El-Egleb.

Siçilia në kohën e çlirimit.
Siçilia në këtë kohë sundohej nga bizantët të cilët kishin gjithashtu nën sundim e tyre disa pjesë të Italisë, Greqinë dhe disa ishujt të tjerë si: Maltën, Sardenjën dhe Korsikën. Ndërsa veriu i Afrikës bashkë me Spanjën, ishujt Belearik dhe Qipron ishin në sundimin e myslimanëve. Kreta një ishull tjetër mes Siçilisë dhe Qipros sapo kishte kaluar edhe ky nën sundimin e myslimanëve në vitin 210H (thuhet gjithashtu se ky çlirim ka qenë në vitin 212H dhe Allahu e di më së miri) nën udhëheqjen e Ebu Hafs Umr bin Isa El-Baluti nga Andaluzia.

Shkaku i depërtimit të myslimanëve në Siçili.
Në librat e historisë përmendet se një komandant bizantin me emër Fimi ka qenë shkak për çlirimin e ishullit duke i ftuar myslimanët të hyjnë në Siçili. Në lidhje me rrethanat që e kanë shtyrë Fimin ta bëjë këtë gjë janë dhënë versione të ndryshme dhe ja disa prej tyre të përmendura në tre libra të ndryshëm:
Ibn El-Ethir (historian i njohur i vdekur në vitin 630H) në librin “El-Kamil fij Et-Tarikh” thotë:
Perandori i Kostandinopojës në vitin 211H emëroi një guvernator për ishullin e Sicilisë me emër Kostandin. Guvernatori kur mbërriti në ishull emëroi admiral për flotën e tij detare një burrë me emër Fimi i cili ishte i trim dhe i vendosur. Ai sulmoi Afrikën dhe qëndroi atje për pak kohë duke plaçkitur dhe marrë robër prej brigjeve të saj disa tregtarë.
Pastaj perandori i shkruan Kostandinit të arrestojë Fimin admiralin e flotës dhe ta dënojë atë. Lajmi mbërrin te Fimi dhe ai i njofton shokët e tij të cilët e ndihmuan të bëjë kryengritje dhe kështu ai niset me anijet e tij dhe pushton Sirakuzën. Kostandini niset drejt tij për ta luftuar por thyhet dhe tërhiqet për në Katania. Atëherë Fimi u nis drejt tij me një ushtri dhe e detyron Kostandinin të largohet në panik dhe shpall veten mbret. Pastaj Fimi emëron një përgjegjës për një skaj të ishullit një burrë me emër Palata mirëpo ai e kundërshton atë dhe në bashkëpunim me guvernatorin e Palermos Mikailin i cili ishte biri i xhaxhai të tij mbledhin një ushtri dhe e mundin Fimin. Fimi bashkë me ata njerëz që kishte hipën në anije dhe shkon në Afrikë për ti kërkuar ndihmë princit Zijadetullah duke i premtuar atij sundimin e ishullit.

Ed-Deuadari (historian i njohur i vdekur në vitin 736H) në librin “Kenz Ed-Durar ue Xhem’ul-Gurar” thotë:
Shkaku i çlirimit të ishullit ishte se princi para Zijadetullahut kishte bërë një marrëveshje me banorët e tij dhe prej kushteve të marrëveshjes ishte që kushdo prej myslimanëve që shkonte atje dhe donte të largohej të mos e pengonin. Zijadetullah merr vesh se ata kishin disa robër të cilët i kishin penguar të largoheshin dhe kështu ai ua paraqet dijetarëve mendimin për çlirimin e saj.

Ihsan Abasi (studiues bashkëkohor i çështjes së islamit në Siçili) në librin “Arabët në Siçili” thotë: Çlirimi ka qenë për shkak të një ngjarje prej ngjarjeve të përsëritura shpesh në rrafshin politik të Siçilisë. Një burrë me emër Fimi ose Euphemius (sipas gjuhës së tyre) ngrihet kundër Kostandinit patriarkut të Siçilisë sepse patriarku deshi ta kapte për ta dënuar sipas urdhrit të qeverisë së Kostandinopojës. Pavarësisht se Fimi lakmonte për pushtet dhe bëri kryengritje në Sirakuzë dhe dështoi dhe u strehua te myslimanët, apo grabiti një vajzë të bukur e cila strehohej në manastir dhe familja e saj u ankua te perandori, apo deshi Omonizën të cilën ia grabiti guvernatori i Siçilisë, ai shkoi për ti kërkuar ndihmë Kajrauanit. Pra pavarësisht se ishte ky shkaku apo tjetri ai realisht shkoi për ti kërkuar ndihme Egalibeve.

Pra të gjithë historianët janë dakord që Fimi është ai i cili i ftoi myslimanët të hyjnë në Siçili edhe pse ata në lidhje me rrethanat që e detyruan atë ta bëjë këtë veprim japin versione të ndryshme.

Vijon…

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *