Myftinia e Berati shtron iftar për besimtarët

Myftinia e Beratit shtroi mbrëmjen e djeshme iftar me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit.

Në këtë iftar ishin të pranishëm, Kryetari i Komunitetit Mysliman z. Skender Bruccaj, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, nënkryetari i KMSH-së, z. Lauren Luli, ministri i Mjedisit dhe Turizmit, z. Blendi Klosi, si dhe deputetë, drejtues të pushtetit lokal, drejtues të komuniteteve fetare dhe besimtarë të Beratit.

Në fjalën e tij Myftiu i Beratit, z. Baftjar Këllezi, duke falënderuar pjesëmarrësit në këtë iftar u shpreh se agjërimi në Islam është institucioni i përmirësimit moral e shpirtëror.

Nëpërmjet këtij institucioni besimtari arrin vlerat më të larta morale dhe virtytet më fisnike. Duke agjëruar njeriu mbjell në shpirtin e tij vlera dhe parime universale për te cilat bota në ditët e sotme ka shumë nevojë si: mëshira, falja, solidariteti, dashuria, drejtësia, etj.,“ tha ndër të tjera Myftiu i Beratit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë z. Skender Bruccaj, në fjalën e rastit tha se ky muaj i begatë na sjell në vëmendje kujdesin për njerëzit në nevojë, për jetimët, për individët me aftësi të kufizuara, dhe për të gjitha shtresat e tjera të shoqërisë.

“Ramazani është muaji i paqes, i solidaritetit dhe i mëshirës hyjnore. Ramazani është muaji ku dalin në pah vlerat universale humane; të bujarisë, të mirësisë, të dashurisë, të respektit ndaj njëri-tjetrit, vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror”, tha ndër të tjera z. Bruçaj.

Ndërsa Kryeministri Rama tha se koha ka treguar që Komuniteti Mysliman ka qenë gjithmonë një aleat shumë i qëndrueshëm i shtetit dhe i çdo i qeverie në mbështetje të së mirës.

Gjithashtu z. Rama uroi besimtarët për këtë sakrificë dhe shtoi se Muaji i Shenjtë i Ramazanit është një kohë sprove dhe në sensin më fisnik të fjalës, një lloj larje hesapesh me veten, me ndërgjegjen.

Në fund të iftarit kryetari i KMSH-së pati një bashkëbisedim me myftiun dhe antarët e këshillin të myftinisë duke i falënderuar për organizimin e iftarit./kmsh/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *