Myftiu Saqipi merr pjesë në prezantimin e “Kalendari Kombiar 1897-1928”, në Prishtinë

Të enjten e 29 marsit, në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, u bë prezantimi “Kalendari Kombiar 1897-1928”, të botuar nga Fondacioni “ALSAR” nga Tirana.

Në këtë eveniment të lartë kulturor të organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Fondacioni “Alsar” nga Tirana, merrnin pjesë personalitete të shquara nga jeta kulturore si Akademik Rexhep Qosja, diplomati shqiptar ish ambasadori Shaban Murati, Hysen Matoshi, Mehdi Gurra, Myftiu Naim Tërnava, si dhe Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi me bashkëpunëtorë.

Të parët me kumtesa u paraqitën Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe Mehdi Gurra nga Fondacioni humanitar dhe kulturor ALSAR, për të vazhduar më pas edhe nga Akademik Rexhep Qosja, profesor Seit Mansaku, prof.dr. Shefkije Islami, prof. dr. Genci Luarasi etj.

Sipas vlerësimeve të autorëve të kumtesave del se kjo vepër është një enciklopedi e botës shqiptare. “Kjo vepër flet për ngjarje historike, për kombin, për gjëra konkrete për shqiptarët”, tha prof. Seit Mansaku.

Ndërsa Mehdi Gurra nga Fondacioni humanitar dhe kulturor “ALSAR”, tha se ribotimi i “Kalendari Kombiar 1897-1928”, është një lajm i gëzueshëm për historinë dhe kulturën shqiptare, duke kontribuar në botime në gjuhën shqipe. Sipas tij deri më tani ka botuar shumë vepra.

Kurse Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës tha se promovimi i “Kalendarit Kombiar 1897-1928”, në Prishtinë është shumë i rëndësishëm për shqiptarët. “Kjo është një vepër kapitale për shqiptarët. Tani janë në katër vëllime këto 22 numra”, u shpreh drejtori Hysen Matoshi.

Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi i tha jetapress, se një përurim i tillë të ribotimit të “Kalendari Kombiar 1897-1928”, me personalitete siç ishin Akademik Rexhep Qosja, diplomati shqiptar ish ambasadori Shaban Murati, Hysen Matoshi, Mehdi Gurra, Myftiu Naim Tërnava, ishte një kënaqësi e veçantë, duke i falënderuar për ftesën dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.

Jetapress mëson se për të pranishmit Fondacioni “Alsar”, shpërndau ribotimin e “Kalendari Kombiar 1897-1928”, gratis për të gjithë pjesëmarrësit, si dhe në koktej rasti./jetapress/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *