Myftiu Saqipi: Kërkon Përqindje Në Kontributet E Rrugës Së Kombit Për Zhvillimin E Luginës Së Preshevës

Çështja e Rrugës së Kombit dhe taksës mbarë-kombëtare, nuk ka lënë pa prekur edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët jo rrallë e kalojnë këtë rrugë me makina, qoftë për pushime verore, qoftë për punë biznesi a shkollimi.

Lidhur me reagimet e shumta “për” ose “kundër” taksës së Rrugës së Kombit, dëgjohet edhe zëri i Myftiut të Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili për portalin jetapress u shpreh:

“Nuk ka dyshim se Rruga e Kombit duhet paguar, ngase edhe ndryshe nuk mund të mirëmbahet. Taksa e cila është caktuar për pagesë nuk është edhe aq e lartë në lartësinë prej 10 euro, kur ne kemi paguar taksa të jashtëzakonshme rrugore për Kosovë dhe vazhdojmë të paguajmë taksa për rrugët, që na shpien në Evropë përmes Serbisë. Por, në këtë drejtim, duhet të ndahet një përqindje nga kontributet e grumbulluara për Rrugën e Kombit, për zhvillimin e Luginë së Preshevës. Besoj se autoritetet e dy shteteve shqiptare, do ta kenë në konsideratë një kërkesë të tillë e cila edhe ashtu gjatë vitit 2013 u miratua në Parlamentin e Kosovës, për krijimin e një fondi zhvillimor për Luginën e Preshevës., thuhet në Apelin e Myftiut të Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi.

Vlen të ceket se autostrada Shqipëri-Kosovë, që në popull njihet si Rruga e Kombit,  është projekti më i madh rrugor shqiptar ndër disa dekada, që kushtoi mbi 1 miliard euro, duke përfshirë tunelin 6 km të Kalimashit./ nofton jetapress/.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *