JAM NË ANËN E MËSIMEVE KURANORE PËR SA I PËRKET PËRGJIMIT

I n t e r v i s t a UNITETI NA BËN MË TË FORTË

JAM NË ANËN E MËSIMEVE KURANORE PËR SA I PËRKET PËRGJIMIT

Efendi Rexhepi, kreu i opozitës, Zoran Zaev, në paraqitjet e tij të para rreth megaskandalit të përgjimeve, ka lënë të nënkuptohet se nga këto përgjime nuk janë kursyer as edhe krerët e komuniteteve fetare. Jeni indiferent ndaj kësaj që po ndodh aktualisht në Maqedoni?

Jo! Aspak nuk jemi indiferent ndaj kësaj që po ndodhë. Po e përcjellim me vëmendje të posaçme, ndonëse deri më tani nuk jemi prononcuar zyrtarisht rreth tërë kësaj që po ndodhë momentalisht në Maqedoni. Është shumë e vërtetë kjo që e theksuat se janë përgjuar edhe Bashkësitë Fetare, edhe atë jo vetëm të parët e Bashkësive Fetare, por edhe njerëzit e tjerë të këtyre komuniteteve. Prandaj, nuk mund të jemi indiferent. Jemi të prekur, jemi të shqetësuar, sepse assesi nuk kemi mundur ta paramendojmë se në një sistem demokratik, shumëpartiak mund të ndodhë ky veprim. Dhe, me të vërtetë sipas parimeve islame, sipas parimeve të Kuranit, ky është një akt i ndaluar; krahasimi i kësaj vepre është i ngjashëm sikur të hash mishin e vëllait të vdekur. Kjo nuk është politikë. Ne si BFI jemi institucion apolitik, veprojmë si institucion mbipartiak, nuk jemi në aleanca me asnjë parti politike dhe, nga ana tjetër, sipas Kushtetutës së RM Bashkësitë Fetare janë të ndara nga shteti.

Si e vlerësoni një shkrim të një gazete maqedonase e cila vlerësohet si proqeveritare dhe sipas së cilës, po citoj, “Reis Rexhepi në emër të myslimanëve rreshtohet në anën e Zaevit”?

E para, kjo është një shpifje e kulluar! Një shpifje publike, dhe, mëkati i kësaj shpifje është njësoj si mëkati i përgjimit. Të montosh ilustrime dhe të bësh shpifje publike, të montosh raste që flasin për takimet e mia me z. Zaevin në Xhaminë e Jahja Pashës, është fund e krye një shpifje e kulluar. E dyta, unë nuk mbaj krahun e asnjë subjekti politik në Maqedoni, por, unë në kollumnën time kam analizuar vetëm aktin e përgjimit, edhe atë duke u bazuar në parimet kuranore, në mësimet e Pejgamberit (a. s.). Ky akt është një krim shumë i madh, jodemokratik. Kam nënvizuar dhe, sërish po e theksoj, askujt nuk i ka shkuar në mend se në demokraci mund të ndodhë kjo – siç po thonë, të përgjohen mbi 20 mijë qytetarë. Ky është një krim i tmerrshëm, është një mëkat i pafalshëm, gjithnjë sipas parimeve islame, por edhe sipas konventave të shumta ndërkombëtare.

Rexhepi, si ju përgjigjeni atyre që nuk pajtohen me ju e që konsiderojnë se kreu i BFI në RM merret me politikë?

Kollumna ime ka autor dhe, personalisht, unë, si Sulejman Rexhepi, jam autor i kësaj kollumne dhe, nga ana tjetër, nëse qenka politikë përmbajtja e kësaj kollumne, unë me këtë rast menjëherë e demantoj, sepse si moto të shkrimit përdor ajetin kuranor dhe, pastaj e komentoj fenomenin, duke u mbështetur pikërisht në këtë ajet, si dhe në ajetin e dytë që flet mbi këtë dukuri. Pra, unë e zbërthej këtë problem nga prizmi fetar islam. Nëse politika përcaktohet për të përgjuar qytetarët e një vendi, atëherë kjo nuk është politikë dhe, unë personalisht, atë politikë nuk mund ta lavdëroj dhe as ta përkrah, sepse bie ndesh me bërthamën dhe parimet islame. Unë kam shfaqur një mendim dhe kjo nuk do të thotë se mbaj krahun e një politike apo të një subjekti, qoftë ky z. Zaev apo Gruevski, kryeministër i Maqedonisë.

Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po flitet për ikjen e qytetarëve të përkatësisë islame në zonat e krizës në Siri e Irak. Si numër një i BFI në RM, cili është qëndrimi juaj, apeli i juaj vizavi këtij problemi?

Gjithnjë kam apeluar në emrin tim, por edhe në emrin e BFI-së, që të gjithë ata që i takojnë Islamit, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, t’i shmangen këtij manipulimi. Ky manipulim është nëntokësor dhe si i tillë është shumë i tmerrshëm, prandaj dhe duhet qëndruar sa më larg këtij manipulimi, i cili assesi nuk ka të bëjë me normat islame. Nëse dikush e lufton terrorizmin, pa dyshim që parimet e së drejtës islame janë ato parime që më së shumti e dënojnë dhe e sanksionojnë aktin e terrorizmit. Lirisht them: edhe mysliman, edhe terrorist nuk mund të ketë. Një terrorist nuk mund të jetë mysliman, por kryekëput një krijesë e djallëzuar. Myslimani nuk guxon të merret me terrorizëm. Apeli im është që myslimanët të ruhen dhe mos të manipulohen. Pavarësisht se çfarë interesi iu ofrohet, myslimani maksimalisht duhet të shmanget dhe mos të identifikohet me terrorizëm, sepse ky akt është një e keqe e cila e dëmton shumë rëndë vetë besimin e myslimanit, por edhe myslimanët kudo qofshin ata.

(TV ART, skurt, 2015)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *