Zhvillohet konferenca “Feja dhe përshpirtëria në marrëdhëniet mes të krishterëve dhe myslimanëve”

Një reflektim teologjiko-shpirtëror mbi aktualitetin e Islamit sot, si dhe shkëmbimi i praktikave të mira për të favorizuar marrëdhëniet me myslimanët në Evropë, kanë qenë në qendër të konferencës së 5-të të delegatëve kombëtarë të Konferencave Ipeshkvnore në Evropë (CCEE), konferencë në të cilën mori pjesë edhe Kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, znj. Loreta Aliko.

Konferenca i filloi punimet e saj me datë 7 të këtij muaji dhe po vazhdon të zhvillohet edhe gjatë ditës sotme në qytetin e Shkodrës.

Në seancën e parë të referimeve, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë-së, Imam Lauren Luli, portretizoi cilësitë e besimtarit mysliman dhe rolin që duhet të ketë ai në shoqëri sipas Kur’anit.

Besimtari, për nga këndvështrimi i faktit që me arsyen e shëndoshë dhe mirëkuptimin, me zgjuarsinë dhe aftësinë parashikuese, me mendjen e pastër e të kthjellët të ndriçuar nga shpallja hyjnore, me botëkuptimin e gjerë dhe objektiv, me vështrimin e shëndoshë dhe gjithëpërfshirës, me ndjeshmërinë dhe korrektesën në përgjegjësitë, me vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë kundër të këqijave, gjatë gjithë jetës është në ndjekje të gjërave të larta e sublime e kapet pas tyre, që me ndjenjën, vetëdijen dhe vullnetin të cilët mundet t’i mbajë të gjallë çdo kohë, me hetimin për të arritur kompetencën në thelbin e çdo gjëje dhe kuptimin e thellë në interpretimin e ngjarjeve dhe dukurive, i bindet Allahut dhe ka siguri te Ai dhe mes njerëzve njihet si njeri i besueshmërisë e i sigurisë, që e vërteton të Vërtetën (Zotin) dhe i mbetet gjithmonë besnik, që njihet si njeri besnik ndaj amanetit dhe kujtohet si njeri të cilit mund t’i drejtohesh gjithmonë për t’i lënë një amanet, që njihet dhe pranohet si i tillë nga ndërgjegjja publike, që bëhet pretekst kudo që ndodhet e dëgjohet për përmendjen e të Vërtetës (Zotit) dhe që i orienton me fjalët e qëndrimet e veta për tek e Vërteta (Zoti) të gjithë ata që i shkojnë pranë ose shoqërohen me të, për nga këndvështrimi i të gjitha këtyre fakteve” – tha ai gjatë fjalës së tij.

Halit Akasheh, Kryetar i zyrës për Islamin pranë Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, ndau me të pranishmit përshëndetjet e Kardinalit Jean-Louis Tauran, president i këtij dikasteri në Vatikan. Ai informoi të pranishmit rreth veprimtarive të Këshillit Papnor dhe rreth Udhëtimit Apostolik të Papa Françeskut në Egjipt, që kulmoi në takimin me Shejhun e el-Ez’her-it.

Më tej, Mons. Angjelo Masafrës, Kryeipeshkëv i Shkodër-Pultit shpjegoi kontributin që Shqipëria mund t’i japë Evropës në aspektin e dialogut ndër fetar.

“Në Mesazhin e tij drejtuar Kombit Shqiptar (25 prill 1993), Shën Gjon Pali II na ftonte të mësonim artin e dialogut dhe të dëgjimit, edhe kur kjo do të thotë lodhje. Na kujtonte se pikërisht dialogu dhe dëgjimi janë çmimi i lirisë, sekreti i progresit të vërtetë moral dhe civil. Në 25-vjetorin e këtij fjalimi historik, e ndjej të them se bash këtë art të dialogut dhe të dëgjimit mund t’u mësojnë bashkësitë fetare të Shqipërisë bashkësive të tjera fetare të pranishme në Evropë. Realizimi i këtij takimi në këtë tokë të martirizuar për shumë kohë nga totalitarizmi ateist është rast për të ritheksuar se, për të shmangur paragjykimet, ndërgjegjja e tjetrit është themelore. Sot në Shqipëri ka një frymë dialogu dhe pranimi – dhe në ndonjë rast edhe bashkëpunimi –dhe është e mundur të bashkëjetosh vetëm nëse respektohet tjetri dhe ligjet e Shtetit”- përfundon kryeipeshkvi Masafra.

Pas seancës së paradites delegacioni i ardhur nga Europa ka vizituar xhaminë Ebu Bekër, ku janë pritur nga nënkryetari i KMSH-së Imam Lauren Luli, drejtori i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun z. Agron Hoxha, përfaqësues nga Myftinia Shkodër, Imam Lavdrim Hamja dhe imami i xhamisë Idmir Plaku.

Dr. Genti Kruja, Përgjegjës i Departamentit të Shkencave Islame në Universitetin Bedër, i pranishëm në këtë konferencë, i njohu vizitorët me historikun e xhamisë, bashkëjetesën ndër fetare në Shkodër dhe dëmet që ka shkaktuar regjimi komunist ndaj të gjitha komuniteteve fetare në Shqipëri gjatë sistemit totalitar.

Punimet e këtij takimi ndërkombëtar kanë vazhduar me kumtesa të përfaqësuesve të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (CCEE), e cila aktualisht përfshin 33 Konferenca Ipeshkvnore Evropiane, të përfaqësuara nga Presidentët e tyre. Sekretaria e këtij këshilli e ka selinë në Zvicër./KMSH/

1 Comment

  1. Hello to every body, it’s my first pay a visit of this website;
    this blog consists of amazing and actually good information in favor of
    visitors.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.