Kur Bashkësitë Lokale Sillen “Allafranga”?

Administrata komunale e Bujanocit, ka shpallur muajin mars, afatin për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve nëpër Bashkësitë lokale, konform Ligjit për vetadministrimin lokal.

Mirëpo, ditët po afrohen e disa Bashkësi lokale, me mandate të skaduara, akoma nuk i kanë zhvilluar proceset zgjedhore, ose i kanë anuluar për kinse shkeljeve të procedurave të votimit.

Këto bashkësi lokale, të pakënaqura se do t’i humbin mandatet shumëvjeçare të udhëheqjes, po mundohen dhunshëm dhe pa monitorimin e proceseve zgjedhore nga autoritetet e komunës, t’i kryejnë ato në mënyrën allapartizançe.

Politizimi ekstrem i proceseve zgjedhore nëpër bashkësitë lokale, të nxitura nga ish partitë në pushtet sollën kërcënime dhe dhunë fizike nëpër disa vendvotime si në Klenik dhe Kushticë, duke tentuar që diçka e tillë të ndodh edhe në Tërnoc dhe Muhoc.

Këto veprime çmedurake të opozitës në Bujanoc, lëre që dëmtojnë proceset e rregullta zgjedhore nëpër bashkësi lokale, por edhe më shumë thellojnë përçarjet mes qytetarëve, duke i involvuar edhe bashkatdhetarët tanë nga diaspora.

Qeverisja Lokale është e rregulluar me Ligjin për vetadministrimin lokal. Ajo nëpërmjet këtij ligji konkretizon: Kompetencat, detyrimet, obligimet, përgjegjësitë dhe të drejtat e bashkësive lokale, të cilat nuk mund t’i ikin procedurave të rregullta e të monitoruara zgjedhore, për të vepruar “allafranga” si dikur në komunizëm, sipas diktatit të ndonjë partie e cila ka humbur pushtetin komunal dhe nuk dëshiron ta humb edhe atë në nivel të bashkësisë lokale./jetapress/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.