Fondacioni Kulturor ALSAR boton dhe përuron librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur, “Mjeshtër i Madh” Shaban Murati.

Promovohet libri “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”

 

Sot në në Sallën “Balsha” të Hotel Tirana Internacional Fondacioni Arsimor Kulturor Alternativa e së Ardhmes (ALSAR) përuroi librin e diplomatit dhe studiuesit të njohur Shaban Murati, “Çështja e paqenë e detit: Një intrigë diplomatike greke apo shqiptare”, botuar npo prej këtij fondacioni. Në këtë veprimtari morën pjesë perfaqesues te institucioneve shteterore e te trupit diplomatik te akredituar ne vendin tonë, historianë, profesorë, pedagogë, studiues të fushave të ndryshme dhe miq të autorit. Veprimtarinë e hapi presidenti i Fondacionit Alternativa e së Ardhmes (ALSAR), Mehdi Gurra. Më pas rreth librit folën Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, Prof. As. Dr. Sokol Sadushi, ish-ambasador Çlirim Çepani, etj. Veprimtaria përfundoi me përshëndeti autori të librit, zotit Shaban Murati.

Libri i ri, që vjen pas dhjetë librave të këtij autori në fushën e diplomacisë, studimeve ballkanike dhe të politikës së jashtme, trajton për herë të parë në mënyrën më të plotë dinamikën dhe prapaskenat e dosjes së detit midis Shqipërisë dhe Greqisë, nëpërmjet paraqitjes dhe analizës se dokumenteve të shumta arkivore, të cilat ndihmojnë për të kuptuar gjenezën dhe zhvillimin e çeshjtes së detit deri në ditët tona.

Autori e zbërthen çeshtjen e detit si një çeshtje të krijuar artificialisht nga paaftësia e diplomacisë shqiptare të kohës së nënshkrimit të marrëveshjes së detit dhe nga aftësia e diplomacisë greke për ta bërë çeshtjen e detit një problem qendror të marrëdhënieve dypalëshe edhe pas anulimit të marrëveshjes së vitit 2009 nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Në libër argumentohet karakteri artificial i kësaj çeshtje nëpërmjet argumentimit shkencor bindës se kjo çeshtje nuk ka ekzistuar kurrë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe se ajo është ngritur mbi supozimin e gabuar dhe të paligjshëm se kufijtë detarë nuk ekzistojnë.

Në kapitullin e parë autori ndalet në prapaskenën e nxitimit të diplomacisë shqiptare për përfundimin e marrëveshjes së detit me Greqinë në 2009, e cila kaloi përmes shkeljesh të mëdha historike, diplomatike, juridike dhe dokumentare. Në kapitullin e dytë autori trajton problemin interesant dhe enigmatik të ndryshimit nga diplomacia shqiptare të objektit të bisedimeve, nga bisedime për shelfin kontinental në bisedime për përcaktimin e kufirit detar. Në kapitullin e tretë kemi një analizë të thellë dhe të dokumentuar historike në gjithë harkun kohor shekullor të marrëdhënieve shqiptaro-greke të së vërtetës që kufijtë detarë kanë ekzistuar dhe janë pranuar nga qeveria greke. Në kapitullin e katërt autori analizon për herë të parë tërë procesin diplomatik të çështjes së detit si një konflikt artificial, që ka dominuar marrëdhëniet dhe bisedimet diplomatike midis dy vendeve gjatë dhjetë viteve të fundit.

I bazuar në vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë libri sjell një pasurim të interpretimit dhe të dokumentacionit, që përcakton piketat strategjike të paluajtshme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndër këto piketa ai i kushton vëmendje të veçantë ekzistencës së kufijve detarë, paligjshmërisë së çdo lloj bisedimi mbi kufijtë detarë dhe tezave të gabuara të adresimit në gjykata ndërkombëtare.

Për të kuptuar plotësisht dosjen e detit dhe perspektivën e saj autori përshin një kuadër të gjerë të problemeve të hapura dhe të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe që nga çështja çame e deri tek çështja e ujërave të Vjosës. Libri i ri i diplomatit Shaban Murati, që botohet në kohën e duhur, sjell një kontribut të çmuar për mendimin diplomatik shqiptar, por edhe për veprimtarinë praktike diplomatike, për studimet akademike dhe për shkencën shqiptare të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Duhet shtuar se autori, duke qenë edhe gazetar, krahas profesionalizmit në argumente, ka realizuar një libër me një stil të kuptueshëm, të këndshëm dhe të komunikueshëm për lexuesit e të gjitha kategorive, që nga akademikët e deri te lexuesit e thjeshtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.